Rrënimi i ndërtimeve pa leje në veri, Islami: Aksioni po zbatohet në gjithë Kosovën, pa dallime etnike
Analisti i sigurisë, Avni Islami ka komentuar aksionin e institucioneve të Kosovës për rrënimin e ndërtimeve pa leje, duke theksuar se sundimi i ligjit dhe trajtimi i barabartë i të gjithë qytetarëve, pa dallime etnike, duhet të mbeten parimet kryesore të këtij procesi.
Sipas Islamit, operacioni tashmë është shtrirë në disa zona të vendit, përfshirë Rugovën, Brezovicën dhe Batllavën, ndërsa së fundmi ka përfshirë edhe veriun e Mitrovicës.
Ai ka bërë të ditur se fokusi i ndërhyrjeve të fundit është zona përreth Liqenit të Ujmanit, ku, sipas tij, janë evidentuar një numër i konsiderueshëm i ndërtimeve pa leje, disa prej të cilave u përkasin eksponentëve të lartë politikë serbë.
Islami ka reaguar edhe ndaj raportimeve të disa mediave zyrtare në Beograd, të cilat, sipas tij, kanë tentuar ta paraqesin operacionin si një veprim me prapavijë politike.
“Sundimi i ligjit dhe trajtimi i barabartë i qytetarëve, pa dallime etnike, mbeten parimet kryesore të aksionit shtetëror për rrënimin e ndërtimeve pa leje në Kosovë. Ky operacion, i cili tashmë ka përfshirë edhe në zona si Rugova, Brezovica e Batllava, po shtrihet në të gjithë vendin, përfshirë edhe veriun e Mitrovicës. Fokus i ndërhyrjeve të fundit është bërë rreth Liqenit të Ujmanit, ku janë evidentuar raste të shumta të paligjshme, disa prej të cilave u përkasin eksponentëve të lartë politikë serbë. Megjithëse mediat zyrtare në Beograd kanë tentuar ta paraqesin këtë operacion si një lëvizje me prapavijë politike, ky qëndrim bie ndesh me faktet në terren. Mbështetja e plotë e aksionit mbi bazën ligjore çaktivizon çdo tentativë për propagandë dhe i zhvesh këto pretendime nga çdo argument juridik apo faktik", ka deklaruar Islami. /Telegrafi/


