Rrëfimi për vrasjen e dyfishtë në Marmull të Gjakovës
Daja që preferon të mbetet i pa cituar me emër, thotë vetëm që “po më duket që na kanë vrarë të gjithëve kur e pash për toke nipin”.
Pali dhe axha i tij Hil Hili (45 vjeçar) ishin në makinën e tyre Crysler me targa regjistrimi të jashtme duke u kthyer nga pazari që po bënin duke u përgatitur për ahengun e nesërm familjar. Familja do të martonte një vajzë nesër, kurse sot kishin planifikuar një drekë me miqtë e familjes.
Pak pas orës 8:00 të mëngjesit para shtëpisë së familjes Allakaj, Pali e Hili u vranë me armë zjarri. Policia thotë se ka gjetur vetëm një pistoletë dhe atë në veturën e të dyshuarit për vrasjen eaxhës dhe nipit, një makinë me targa kosovare.
Komandanti i Policisë në Gjakovë, Krist Gjokaj thotë për Express se nuk kanë arrestuar asnjë person, dhe se nuk dihet motivi i këtij krimi. Ai thotë se deri tash e kanë shoqëruar në polici një person, por që nuk e ka statusin e qartësuar.
Express ka marrë vesh se i dyshuari në këtë vrasje është Luz Allakaj, personi nga familja fqinje Hili, shtëpinë e të cilëve sot e kishin rrethuar forcat e njësisë speciale policore dhe po e ruanin.
Në një rrëfimi të botuar nga Express familja Allakaj e ka konfirmuar që Luz Allakaj ka shtënë në drejtim të makinës me të cilën po udhëtonte Pal e Hil Hili, por ai e kishte bërë këtë në vetëmbrojtje. Thonë edhe që është i plagosur nga zjarri që doli me armë nga Hili.
Por, Policia e Kosovës në raportin e tyre të dërguar media flasin vetëm për një armë - atë të gjetur në makinën e të dyshuarit, dhe atë për një pistoletë. Të dy makinat tash gjenden në oborrin e Stacionit policor në Gjakovë, derisa trupat e dy të vrarëve në Qendrën e mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Afro 6 vite më parë, siç merr vesh Express, tash i ndjeri Pal Hila kishte humbur edhe babin. Vendi ku u vra babai i tij, Nikollë Hila ishte afro 100 metra më tutje nga vendi ku u vra tash djali i tij, Pali.
Siç merr vesh gazeta ai ishte vrarë natën, dhe rasti i tij nuk është zbardhur përfundimisht.
As Komandanti i Policisë në Gjakovë nuk e di saktë se çka ka ndodhur me këtë vrasje.
“Rasti duhet me kanë në Prokurori”, thotë Kristë Gjokaj, për Express.
Kryeprokurorja e Prokurorisë së Gjakovës, Shpresa Bakia thotë se fillimisht rasti është trajtuar nga Prokuroria e Qarkut e Pejës.
Ajo thotë se nuk mund të flas me saktësi për këtë rast, pasi që prokurori i rastit është në pushim me gjithë zyrtarin ligjor të tij, dhe kjo pamundëson qasjen në dosjen e rastit. Por, thotë edhe se “me sa e di, rasti i vrasësit të Nikollë Hilës është në ri-gjykim”, dhe përmend që atymund të jetë i dyshuar një person nga familja Allakaj.
Nga kjo familje është edhe i dyshuari për vrasjen e Pal e Hil Hilëit, Luz Allakaj. /Express/


