Roli i infermieres në realizimin e saktë të EKG-së
Valentina Sulejmani, Infermiere e përgjithshme – QKUK
Nga përgatitja e pacientit dhe vendosja e saktë e elektrodave deri te kontrolli i cilësisë së regjistrimit, kujdesi dhe profesionalizmi i infermieres janë vendimtarë për një EKG të besueshme
Valentina Sulejmani,
Infermiere e përgjithshme – QKUK
Elektrokardiograma (EKG) është një metodë e thjeshtë, e shpejtë dhe jo invazive për vlerësimin e aktivitetit elektrik të zemrës. Cilësia dhe besueshmëria e regjistrimit varen në masë të madhe nga përgatitja dhe profesionalizmi i infermieres.
Për të siguruar një regjistrim sa më të saktë dhe të besueshëm, çdo hap i procedurës duhet të realizohet me kujdes, duke filluar nga përgatitja e pacientit.
Përgatitja e pacientit – hapi i parë drejt një EKG-je cilësore
Roli i infermieres fillon me identifikimin e saktë të pacientit, shpjegimin e procedurës dhe krijimin e një ambienti të qetë për të minimizuar lëvizjet dhe ankthin. Para vendosjes së elektrodave, lëkura duhet të pastrohet, ndërsa pacienti duhet të vendoset në pozicion të rehatshëm.
Përgatitja e pacientit nuk është vetëm një hap formal. Një shpjegim i shkurtër dhe i qartë i procedurës ndihmon që pacienti të relaksohet dhe të bashkëpunojë. Gjatë regjistrimit ai duhet të qëndrojë sa më i qetë, pa folur dhe pa bërë lëvizje të panevojshme, pasi tensionimi i muskujve, dridhjet apo lëvizjet mund të krijojnë artefakte dhe të ndikojnë në cilësinë e EKG-së.
Po aq i rëndësishëm është kontakti i mirë i elektrodave me lëkurën. Lëkura duhet të jetë e pastër dhe e thatë, ndërsa kur qimet pengojnë vendosjen e elektrodave, zona përkatëse duhet të përgatitet në mënyrë të përshtatshme.
Vendosja e saktë e elektrodave – pjesa më e rëndësishme e procedurës
Përgjegjësia më e rëndësishme është vendosja korrekte e elektrodave të gjymtyrëve dhe prekordiale sipas standardeve, pasi pozicionimi i gabuar mund të japë ndryshime të rreme në EKG dhe të ndikojë në interpretimin e saktë të regjistrimit. Infermierja duhet gjithashtu të kontrollojë funksionimin e aparatit, kalibrimin standard (10 mm = 1 mV) dhe shpejtësinë e regjistrimit (25 mm/s), si dhe të sigurohet që regjistrimi të jetë pa artefakte.
Në EKG-në standarde me 12 derivacione, vendosja e elektrodave në kraharor kërkon njohjen e saktë të pikave anatomike. Elektroda V1 vendoset ndërmjet brinjëve, në anën e djathtë të kockës së kraharorit, ndërsa V2 në të njëjtin nivel, në anën e majtë. V3 vendoset ndërmjet V2 dhe V4, ndërsa V4 më poshtë, në anën e majtë të kraharorit, sipas pikës anatomike të përcaktuar. V5 dhe V6 vendosen në të njëjtin nivel horizontal me V4, duke vazhduar drejt anës së majtë të kraharorit dhe sqetullës.
Këto pika nuk duhet të përcaktohen me përafërsi. Edhe një zhvendosje e elektrodave nga pozicioni standard mund të ndikojë në pamjen e regjistrimit. Prandaj, njohja e anatomisë dhe respektimi i protokollit janë pjesë thelbësore e punës së infermieres gjatë realizimit të EKG-së.
Kontrolli i regjistrimit dhe shmangia e artefakteve
Gjatë procedurës, infermierja duhet të vëzhgojë jo vetëm aparatin, por edhe pacientin dhe cilësinë e gjurmës së regjistruar. Lëvizjet, dridhjet muskulore, kontakti jo i mirë i elektrodave me lëkurën, kabllot e vendosura gabimisht apo interferencat elektrike mund të krijojnë artefakte.
Nëse regjistrimi nuk është teknikisht i kënaqshëm, duhet të gjendet shkaku, të korrigjohet dhe, kur është e nevojshme, EKG-ja të përsëritet. Infermierja nuk vendos diagnozën nga EKG-ja, por ka përgjegjësinë që regjistrimi që i përcillet mjekut të jetë sa më i plotë, i pastër dhe teknikisht i besueshëm.
Pas përfundimit të ekzaminimit, infermierja verifikon cilësinë e EKG-së, dokumenton të dhënat e pacientit dhe ia përcjell rezultatin mjekut. Nëse gjatë regjistrimit vërehen ndryshime shqetësuese ose pacienti paraqet simptoma të papritura, duhet të njoftohet menjëherë ekipi mjekësor.
Edhe pse EKG-ja është një procedurë e zakonshme dhe relativisht e shpejtë, realizimi i saj kërkon përpikëri dhe përgjegjësi. Përgatitja e pacientit, vendosja e saktë e elektrodave, kontrolli i aparaturës dhe respektimi i protokolleve janë thelbësore për një regjistrim cilësor dhe për sigurinë e pacientit. Në këtë proces, profesionalizmi dhe kujdesi i infermieres kontribuojnë ndjeshëm në cilësinë e regjistrimit të EKG-së. /Telegrafi/


