Rexhepi-Zejdi: Sistemi “Safe City”, është ndëshkues, diskriminues dhe antikushtetues
Kryetari i Partisë 'Lëvizja Populli", pjesë e Aleancës Kombëtare për Integrim, Skender Rexhepi-Zejdi, është shprehur kundër sistemit "Safe City".
Ky vendim i tij vjen pasi siç thotë ai, ky sistem i MPB-së është ndëshkues, diskriminues dhe antikushtetues.
"Jemi për sigurinë e qytetarëve, por projekti “Safe City” është i papërshtatshëm për realitetin e vendit tonë, ndëshkues, diskriminues dhe antikushtetues.
Është i papërshtatshëm sepse rrugët dhe infrastruktura e qyteteve të përfshira janë nën çdo standard evropian dhe nuk krijojnë kushte reale për zbatim të drejtë të këtij sistemi.
Ndëshkrues sepse qëllimi real i qeverisë nuk është siguria e qytetarëve, por mbushja e boshllëqeve buxhetore përmes gjobave.
Diskriminues sepse nuk përfshihet i gjithë shteti, por vetëm disa qytete të caktuara, duke krijuar trajtim të pabarabartë për qytetarët.
Antikushtetues sepse në të tre qytetet e përfshira — Shkup, Kumanovë dhe Tetovë — gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, ndërsa qeveria ka lejuar që softueri i projektit të përgatitet vetëm në gjuhën maqedonase", shkruan Zejdi.
Kujtojmë se për aktivizimin e sistemit Safe City, nevojitet ndryshimi i një pakoje prej 6 ligjeve, katër prej të cilave janë miratuar, ndërsa mbeten Kodi Penal dhe Ligji për kundërvajtje në komunikacion. Pa miratimin e ligjit sistematik me 2/3, sistemi Safe City nuk mund të hy në funksion nga data 1 shkurt.


