Please enter at least 3 characters.

Real Madridi thyen rekordin befasues në Kupën e Botës 2026

Real Madridi ka hyrë në histori të Kupës së Botës 2026, duke u bërë klubi me më së shumti gola të realizuar nga futbollistët e tij në një edicion të vetëm të turneut.

Forma fantastike e Kylian Mbappes dhe Jude Bellinghamit ka qenë vendimtare për këtë arritje. Sulmuesi francez është bashkëgolashënuesi më i mirë i turneut me tetë gola në vetëm gjashtë ndeshje, ndërsa shtoi edhe një tjetër në fitoren 2-0 të Francës ndaj Marokut në çerekfinale.

Nga ana tjetër, Bellinghami shkroi historinë duke u bërë futbollisti i parë që nga Diego Maradona në vitin 1986 që shënon nga dy gola në dy ndeshje radhazi të fazës me eliminim direkt të Kupës së Botës. Mesfushori anglez realizoi dopietë në fitoren ndaj Norvegjisë.

Dy yjet e Real Madridit kanë shënuar së bashku 14 gola në këtë Botëror, por ata nuk janë të vetmit që kanë kontribuar.

Vinicius Junior realizoi katër gola para eliminimit të Brazilit në fazën e 1/8 së finales, ndërsa Arda Guler shënoi një gol me Turqinë në fazën e grupeve.

Falë këtyre paraqitjeve, futbollistët e Real Madridit kanë realizuar gjithsej 19 gola në Kupën e Botës 2026, duke vendosur një rekord të ri në histori të kompeticionit.

Me këtë shifër, klubi madrilen ka lënë pas Bayern Munichun (2014), Honvedin (1954) dhe Paris Saint-Germainin (2022), të cilët kishin ndarë rekordin e mëparshëm me nga 18 gola të shënuar nga lojtarët e tyre.

Lojtarët e klubeve që kanë kontribuar më së shumti në Kupën e Botës:

Real Madrid – 2026 (19 gola aktualisht)

Bayern Munich – 2014 (18 gola)

Honved – 1954 (18 gola)

PSG – 2022 (18 gola)

Stade de Reims – 1958 (17 gola)

Barcelona – 1994 (16 gola)

Rekordi i Real Madridit mund të zgjerohet edhe më tej, pasi në program janë ende gjysmëfinalet, ndeshja për vendin e tretë dhe finalja.

Në planin individual, Mbappe vazhdon të shkruajë histori edhe me Francën. Me 20 gola në Kupat e Botës, ai është vetëm një gol larg Lionel Messit, i cili kryeson listën e golashënuesve më të mirë në historinë e turneut me 21 realizime.

Sulmuesi francez, i cili tejkaloi një shqetësim fizik, pritet të jetë titullar ndaj Spanjës në gjysmëfinale, ndërsa pas përfundimit të Botërorit do t'i bashkohet Real Madridit për fazën përgatitore nën drejtimin e Jose Mourinhos.

Trajneri portugez së fundmi u shpreh plot besim për yllin francez.

"E vetmja gjë që mund të them për Kylian Mbappen është se ai është një lojtar fenomenal dhe unë do të përpiqem ta ndihmoj të bëhet edhe më i mirë", ka deklaruar Mourinho./Telegrafi/