Rasti i ryshfetit: Nga një muaj paraburgim ish-ministrit dhe gjashtë të tjerëve
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë të pandehurve në një çështje penale që lidhet me veprat e korrupsionit.
Sipas vendimit të gjykatës, masa e paraburgimit prej një muaji është caktuar ndaj të pandehurve: N.K., M.B.-D., Sh.T., G.L., F.I., J.M. dhe B.D.
Të pandehurit dyshohen për kryerjen e veprave penale marrja e ryshfetit, dhënia e ryshfetit dhe ushtrimi i ndikimit, në varësi të rolit të secilit në këtë çështje. Konkretisht, disa prej tyre dyshohen për marrje ryshfeti, ndërsa të tjerët për dhënie ryshfeti dhe ushtrim ndikimi.
Gjyqtari i procedurës paraprake, pas dëgjimit të palëve dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë Speciale është e bazuar dhe se paraburgimi është masa e vetme adekuate për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale.
Gjykata ka theksuar se, në këtë fazë të procedurës, masa e paraburgimit është e domosdoshme për garantimin e rrjedhës së rregullt të hetimeve dhe procesit gjyqësor.
Palët e pakënaqura nga ky aktvendim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.


