Raporti i PE-së kërkon reforma urgjente në Kosovë: Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit në fokus
Parlamenti Evropian ka miratuar raportet e reja për zgjerimin e Bashkimit Evropian për pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar ecurinë e tyre në procesin e integrimit evropian.
Për Kosovën, eurodeputetët kanë konstatuar mungesë përparimi krahasuar me raportin e mëparshëm dhe kanë shprehur shqetësim për ngërçin politik që ka penguar funksionimin e plotë të institucioneve.
Raporti për Kosovën u miratua me 412 vota pro, 174 kundër dhe 58 abstenime.
Në të thuhet se eurodeputetët e vlerësojnë angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por shprehin shqetësim për pamundësinë e formimit të institucioneve funksionale për një periudhë të gjatë kohore.
Parlamenti Evropian i bën thirrje autoriteteve kosovare që të përshpejtojnë reformat e nevojshme për integrimin evropian, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore, si dhe në luftën kundër korrupsionit.
Në raport theksohet se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, mbeten faktorë vendimtarë për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
"Eurodeputetët përgëzojnë angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës ndaj aplikimit të vendit për anëtarësim në BE, ndërsa shprehin shqetësim për pamundësinë e saj për të formuar një legjislaturë dhe qeveri funksionale për më shumë se një vit. Qeveria e Kosovës të përshpejtojë reformat që lidhen me BE-në, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, lirive themelore dhe luftës kundër korrupsionit. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit mbeten thelbësore për ambiciet e Kosovës për në BE", thuhet në raport.
Sa i përket vendeve të tjera të rajonit, eurodeputetët vlerësuan se Mali i Zi synon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028, ndërsa Shqipëria synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027.
Për Bosnje dhe Hercegovinën, Parlamenti Evropian u bëri thirrje udhëheqësve politikë që të tejkalojnë bllokadat politike dhe të ripërtërijnë angazhimin e tyre për reformat dhe procesin e integrimit evropian.
Raportet e Parlamentit Evropian përbëjnë një vlerësim të rëndësishëm politik për progresin e vendeve aspirante, megjithëse vendimi përfundimtar për zgjerimin e Bashkimit Evropian mbetet në duart e shteteve anëtare./Telegrafi.


