Please enter at least 3 characters.

Rami Hadar rikthehet në basketbollin kosovar, merr drejtimin e Golden Eagle Yllit

Golden Eagle Ylli ka vendosur t’ia besojë drejtimin e skuadrës një emri të njohur në skenën e basketbollit kosovar.

Klubi nga Suhareka ka arritur marrëveshje dyvjeçare me trajnerin izraelit Rami Hadar, i cili do të jetë në krye të ekipit në sezonet e ardhshme.

Hadar rikthehet kështu në basketbollin kosovar pas eksperiencës së mëparshme me Pejën, ndërsa tifozët e Yllit shpresojnë se përvoja e tij do ta ndihmojë skuadrën të rikthehet në garën për trofetë kryesorë.

59-vjeçari vjen në Suharekë pas aventurës së fundit te skuadra izraelite Hapoel Be'er Sheva, ndërsa gjatë karrierës së tij ka drejtuar disa prej klubeve më të njohura në Izrael, përfshirë Maccabi Tel Aviv, Maccabi Haifa dhe Hapoel Afula.

Një pjesë e rëndësishme e karrierës së Hadarit lidhet edhe me Kosovën.

Ai ishte selektor i Kombëtares së Kosovës gjatë periudhës 2023-2024, duke fituar njohuri të mëdha për basketbollin vendor dhe potencialin e lojtarëve kosovarë.

Emërimi i tij konsiderohet një sinjal i qartë i ambicieve të Golden Eagle Yllit për sezonet e ardhshme, me klubin që synon të ndërtojë një projekt konkurrues nën drejtimin e një trajneri që e njeh mirë kampionatin tonë./Telegrafi/