Rama pas takimit me Lladrovcin e Ahmetin: Komunat duhet ta menaxhojnë vetë pastrimin e zonave të tyre
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka propozuar që menaxhimi i pastrimit të qyteteve dhe mbeturinave të organizohet në bazë të komunave dhe regjioneve.
Rama e ka bërë këtë propozim pas takimit me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe kryetarin e Lipjanit, Imri Ahmeti, takim i cili ishte thirrur për të diskutuar situatën me pastrimin dhe menaxhimin e mbeturinave.
Sipas Ramës, modeli ku secila komunë do të kishte ekipin e saj dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë për pastrimin e territorit do të ishte zgjidhja më e përshtatshme për menaxhimin e këtij shërbimi.
“Mënyra më e mirë për secilin qytet është që pastrimi të krijohet në bazë të regjioneve, në bazë të komunave, secila komunë ta ketë ekipin e vet, të jetë përgjegjëse 100% për ekipin e vet dhe të jetë përgjegjëse për pastrimin e zonave të veta. Këto janë ato për të cilat diskutuam dhe për të cilat jemi në një vijë, pra 100%”, ka thënë Rama.
Takimi kishte në fokus sfidat aktuale në menaxhimin e mbeturinave, koordinimin ndërmjet komunave dhe mundësitë për bashkëpunim për përmirësimin e shërbimeve të pastrimit.
Rama nuk ka dhënë më shumë detaje rreth mënyrës se si do të funksiononte konkretisht ky model dhe nëse do të nënkuptonte ndryshime në organizimin aktual të kompanive rajonale të pastrimit.
Në këtë takim morën pjesë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti.
Ndërkaq, kryetari i Podujevës, kryetari i Fushë Kosovës dhe kryetari i Obiliqit munguan në takim, pasi nuk iu përgjigjën ftesës së Ramës. /Telegrafi/


