Rafuna: Nuk ka rrezik për paga në janar dhe shkurt, buxheti i vitit 2025 mund të zbatohet deri në mars 2026
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna në “Përballje Podcast”, ka sqaruar se edhe në rast të mungesës së një qeverie apo Kuvendi të konstituuar, Kosova nuk rrezikon krizë buxhetore në fillim të vitit 2026.
Rafuna në “Përballje podcast” që përkrahet nga kompania e derivateve EXFIS tha se buxheti i vitit 2025 mund të zbatohet automatikisht për dy muajt e parë të vitit të ardhshëm, duke garantuar pagesat dhe funksionimin e institucioneve.
“Kemi pas situata të tilla edhe në të kaluarën. Nuk është hera e parë që ndodh. Edhe atëherë, në janar e shkurt nuk ka pasur asnjë problem me pagesat – ato janë kryer normalisht”, shpjegoi Rafuna.
Ai tha se kjo është e përcaktuar qartë në Ligjin për menaxhimin e financave publike, i cili lejon ekzekutimin e një të dymbëdhjetës së buxhetit të vitit paraprak për çdo muaj pa buxhet të ri të miratuar.
“Ligji e përcakton shumë qartë, nëse nuk kemi buxhet të vitit 2026 për shkak se s’ka Kuvend apo Qeveri, atëherë në muajin janar implementohet një e dymbëdhjeta e buxhetit të vitit 2025. Kjo nënkupton që të gjitha shpenzimet rrjedhëse mund të bëhen dhe pagesat ekzekutohen pa asnjë problem. E njëjta vlen edhe për muajin shkurt – pra janari dhe shkurt janë të mbuluar plotësisht”, ka deklaruar ai.
Rafuna theksoi se gjatë kësaj periudhe, drejtori i Thesarit ka të gjitha autorizimet ligjore për të vazhduar pagesat normale, pa pasur nevojë për miratim të ri politik.
“Drejtori i Thesarit i ka të gjitha autorizimet për ekzekutimin e pagesave, nuk ka nevojë për ndonjë vendim të ri të Kuvendit”, shtoi Rafuna.
Megjithatë, ai paralajmëroi se situata mund të bëhet e ndërlikuar pas muajit mars, nëse Kuvendi nuk konstituohet dhe nuk merr vendim për zgjatje.
“Në muajin mars nuk mund të implementohet automatikisht buxheti i vitit 2025. Për atë muaj, Kuvendi duhet të marrë vendim të veçantë. Vendim duhet të merret edhe për prillin, ndërsa në muajin maj ndalen të gjitha pagesat nga buxheti i shtetit, me përjashtim të obligimeve ndërkombëtare si pagesat e borxheve”, thotë Rafuna në “Përballje Podcast”.
Sipas Rafunës, kjo periudhë tranzicioni është ligjërisht e paraparë dhe nuk krijon panik, por vendimmarrja politike duhet të ndodhë në kohë për të shmangur vonesa pas tremujorit të parë të vitit.
“Janari dhe shkurti janë të mbuluar me ligj. Problemi mund të lind vetëm pas marsit, nëse s’ka Kuvend që merr vendim për zgjatje.”
Në përfundim, Rafuna siguroi se pagat dhe shpenzimet e rregullta të institucioneve publike nuk janë në rrezik në fillim të vitit 2026, dhe se çdo shqetësim për “krizë buxhetore” nuk është real.
“Janar–shkurt 2026 nuk ka asnjë problem. Mund të kalohet me buxhetin e vitit 2025. Vetëm nëse Kuvendi s’vendos për mars e prill, atëherë paraqiten vështirësi”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/


