Please enter at least 3 characters.

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata gjithashtu kanë bllokuar rrugën ndërsa kanë bërë thirrje që të mos hapin qarkullimin.

Ka patur edhe qytetarë të cilët nuk ishin pjesë e protestës por kanë zbritur nga makina dhe kanë shprehur mbështetjen e tyre.

Pas pak çastesh protestuesit janë drejtuar drejt “Tajvanit” dhe zonës së “Bllokut” teksa u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ngrihen nga kafet dhe t’u bashkohen në protestën e tyre kundër ndërtimit në Zvërnec.

Protesta e sotme ishte e katërta që nga e diela kur nisën marshimet. Fillimisht protesta e sotme nisi me përplasje me policinë. Situata u përshkallëzua kur protestuesit u hasën me kordonin e policisë, të vendosur në kuadër të masave për ndeshjen Shqipëri-Izrael.

Disa protestues çanë kordonin policor, ndërsa forcat e rendit ndërhynë për të stabilizuar situatën.

Pas disa momentesh tensionesh, gjithçka u neutralizua dhe protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë.

Ata vijuan protestën për disa orë teksa bënë thirrje kundër ndërtimit. Ata mbanin në duar pankarta dhe flamuj të Shqipërisë.