Please enter at least 3 characters.

Qumështorja “Vita” i përgjigjet Mujës: Inspektimi i paligjshëm, trajtimi i pabarabartë

Kanë vazhduar përplasjet mes Ministrit të Ekonomisë, Armend Muja, dhe Qumështores “Vita”, pas një kontrolli të paparalajmëruar që inspektorët e shumtë, sipas kompanisë, e kanë realizuar sot me urdhër të ministrit.

Në reagimin e saj në postimin e Mujës, Qumështorja “Vita” thekson se nuk është kundër kontrolleve institucionale, duke i cilësuar ato si të domosdoshme për sigurinë ushqimore, por shton se kompania ka investuar për më shumë se 20 vite në standarde të larta, teknologji moderne dhe kontroll të vazhdueshëm të cilësisë.

“Është e vështirë të kuptohet pse vëmendja fokusohet vazhdimisht te prodhuesit vendorë, ndërkohë që produktet e importuara shpesh trajtohen me një qasje më të butë. Politikat aktuale po e vendosin industrinë vendore të qumështit në pozitë të pabarabartë”, thuhet në reagim.

Sipas kompanisë, nëse synimi është mbrojtja e konsumatorit, ligji duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë, por njëkohësisht duhet të mbrohet edhe prodhimi vendor që, siç thekson ajo, investon dhe punëson mijëra qytetarë.

Në reagim, “Vita” pretendon gjithashtu se inspektimi i realizuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) dhe Instituti për Kontrollin e Cilësisë (IQT), së bashku me një grup punues, është iniciuar direkt nga ministri Muja përmes një vendimi të nënshkruar prej tij, të cilin e cilëson si të paligjshëm.

Duke iu drejtuar ministrit, kompania thotë se është gjithmonë e hapur për vizita dhe inspektime, duke e ftuar atë që të vizitojë fabrikën për të parë nga afër, siç thotë ajo, standardet e prodhimit.

“Dyert tona janë të hapura në çdo kohë”, thuhet në reagimin e Qumështores “Vita”./Telegrafi/