Please enter at least 3 characters.

Qarqe të caktuara synojnë destabilizimin e Kosovës

2016/01/f.1130162734993_m.jpg

Thaçi, i cili ka kryesuar të hënën takimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, theksoi se këto veprime që synojnë të cenojnë drejtpërdrejtë sigurinë në vend, janë të orkestruara mirë. Ato, sipas tij, janë duke ndodhur pikërisht një ditë para fillimit të procesit dëgjimor për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe në periudhën e mesfushatës elektorale.

Kryeministri Thaçi ka thënë se të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm, sidomos organet e drejtësisë dhe të sigurisë të veprojnë në bazë të ligjit dhe në mbrojtje të ligjit. Ai ka ripërsëritur mesazhin e bashkëpunimit mes institucioneve që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë, në mënyrë që veprimet të jenë sa më të shpejta dhe në tërësi në përputhje me ligjin.

“Unë personalisht jam në anën e ligjit dhe kërkoj nga të gjithë ju ta bëni të njëjtën gjë. Askush nuk do të ketë imunitet apo mbrojtje politike në kundërshtim me ligjin dhe këtu duhet të funksionojmë me përgjegjësi për institucionet dhe për vendin tonë”, është shprehur Thaçi.

Thaçi me këtë rast ka ftuar për bashkëpunim të ngushë me mekanizmat e drejtësisë dhe të sigurisë ndërkombëtare, për t’i harmonizuar qëndrimet dhe qëllimet e përbashkëta, duke vepruar shpejt, me guxim, me vendosmëri dhe me ndjenjë të respektit për ligjin dhe vendin.

Ai ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të jenë efikase dhe të thonë fjalën e vet, fjalën e ligjit, si dhe ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të rrisë vigjilencën, të jetë funksionale dhe e paanshme në punën e vet, të jetë energjike dhe të veproj me fuqinë e ligjit.

“Me përkushtimin tonë të vazhdueshëm dhe të vendosur, ne duhet ta ruajmë sigurinë e vendit tonë, duhet të tregojmë se në këtë vend funksionon rendi dhe ligji dhe të mos ketë hapësirë për anarki”, ka potencuar kryeministri Thaçi dhe ka shtuar se stabiliteti i vendit është detyrë prioritare dhe obligim yni para qytetarëve tanë.

Duke ofruar gjithë mbështetjen institucionale dhe ligjore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Thaçi ka ftuar anëtarët e Këshillit të Sigurisë të Kosovës që të rrisin përkushtimin dhe përgjegjësinë në dikasteret që udhëheqin, duke dhënë provimin e pjekurisë institucionale dhe të përgjegjësisë së lartë ligjore.

“Të gjitha rastet duhet të hetohen dhe të shikohen deri në fund. Ligji duhet të mbizotërojë në këtë vend”, ka thënë Thaçi. /Telegrafi/