Putini së shpejti do ta urdhërojë mobilizimin e përgjithshëm: Ky mund të jetë momenti i luftës së tij afgane
Kjo nuk është një ushtri që marshon e sigurt drejt fitores, por një makineri grirëse që konsumon të rinj në përmasa industriale ...
Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Nëse, siç pritet në përgjithësi, Vladimir Putini urdhëron mobilizimin e përgjithshëm pas zgjedhjeve të rreme të shtatorit në Rusi, ai mund të zbulojë se nuk po grumbullon thjesht edhe 300 mijë burra për t’i dërguar në luftën e tij që po dështon në Ukrainë. Ai mund të jetë duke mobilizuar pikërisht njerëzit të cilët, në fund, do ta përfundojnë atë.
A mund të bëhet ky momenti “Boys in Zink” [djemtë në zink] i Putinit?
Kjo shprehje ka një jehonë të zymtë në Rusi. Gjatë luftës sovjetike në Afganistan, ushtarët e vdekur rusë, kryesisht rekrutë të rinj, dërgoheshin në shtëpi në arkivole zinku. Nënat e ushtarëve rusë marshuan drejt Kremlinit duke kërkuar që djemtë e tyre të ktheheshin në shtëpi. Pasi ishin vrarë rreth 18 mijë trupa sovjetike, presioni politik u bë i pamundur për t’u shpërfillur. Ushtria e Kuqe përfundimisht u tërhoq në vitin 1989.
Po atë vit doli një libër me titull Boys in Zinc (ndonjëherë i përkthyer si Zinky Boys), nga shkrimtarja Svetlana Alexievich, që dokumentonte luftën dhe pasojat e saj. Ai shkaktoi një debat të madh të brendshëm. Arkivolet e zinkut që ktheheshin nga Afganistani dhe pikëllimi e zemërimi që vinin me to ishin faktor i rëndësishëm jo vetëm në përfundimin e luftës, por edhe në rënien e Bashkimit Sovjetik.
Pse atëherë, pas asaj që Ukraina pretendon se janë plot 1.5 milion viktima ruse, këtë herë ka pasur relativisht pak revoltë publike?
Përgjigjja mund të qëndrojë te fakti se kush po vdes. Putini, gjatë pjesës më të madhe të kësaj lufte, ka mundur të shmangë dërgimin kundër vullnetit të tyre të rekrutëve etnikë rusë në luftë. Ushtria ruse është plotësuar me të burgosur, mercenarë, pjesëtarë të pakicave etnike dhe burra prej rajoneve më të varfra, të tërhequr nga pagat që janë jashtëzakonisht të larta sipas standardeve ruse ose nga premtimi për lirim nga burgu.
Për elitën e Moskës dhe të Shën Petersburgut, këta burra janë, thënë brutalisht, të pavlerë. Djemtë e tyre nuk dërgohen në Ukrainë, përveçse nëse zgjedhin të dalin vullnetarë, dhe edhe atëherë ka të ngjarë të caktohen në poste të sigurta.
Makineria e propagandës e përforcon iluzionin. Në atdhe, ushtari rus paraqitet si “luftëtari internacionalist” heroik që çliron Ukrainën dhe gjoja siguron të ardhmen më të ndritur për popullin. Është përmbysje groteske e realitetit. Në front ka pak gjëra heroike në atë që përjetohet.
Uria, të ftohtët, frika dhe mundësia e vazhdueshme e vdekjes janë realiteti i përditshëm. Ushtarët shpesh janë të pajisur dobët dhe furnizohen në mënyrë të pamjaftueshme. Korrupsioni është i përhapur. Disiplina dhe ndëshkimi janë vdekjeprurës dhe të padrejtë. Alkooli dhe droga bëhen mjete për të përballuar të padurueshmen. Disa arrijnë deri aty saqë gjymtojnë qëllimisht veten vetëm për t’i shpëtuar fushëbetejës.
Kjo nuk është një ushtri që marshon e sigurt drejt fitores. Është makineri grirëse që konsumon të rinj në përmasa industriale.
Por, mobilizimi i përgjithshëm prej 300 mijë ose më shumë njerëzish mund ta ndryshojë në mënyrë dramatike ekuacionin politik. Për herë të parë, lufta mund të fillojë të depërtojë thellë në shtëpitë e rehatshme të shtresës së mesme të Rusisë perëndimore. Papritmas, mund të mos jetë djali i ndonjë nëne çeçene apo tatare - ose një kriminel i liruar nga burgu, apo një mercenar i huaj - ai që dërgohet të vdesë në Donbas. Mund të jenë djemtë e tyre.
Sigurisht, Putini do të përpiqet t’i mbrojë oligarkët dhe ata që janë më pranë Kremlinit. Kështu funksionojnë sistemet autoritare. Por, ata nuk janë të vetmit që kanë diçka për të humbur. Shtresa e mesme urbane ka para, ndikim dhe, kryesorja, qasje në botën e gjerë. Ata e dinë se ekonomia e Rusisë po vuan, se vendi i tyre është bërë i padëshiruar në pjesën më të madhe të Perëndimit dhe se tani së shpejti mund të pritet që djemtë e tyre të vdesin për një luftë objektivat e së cilës bëhen më pak të besueshme nga dita në ditë. Pikërisht këtu qëndron rreziku i vërtetë për Putinin.
Dhe, edhe nëse arrin t’i fusë edhe 300 mijë burra të tjerë në uniformë, vetëm numrat nuk do ta fitojnë këtë luftë. Ushtrisë i duhen ushtarë të stërvitur mirë, oficerë kompetentë, pajisje moderne dhe kohë për përgatitje. Rusia tashmë e ka zbrazur një pjesë të madhe të strukturës së saj të stërvitjes për ta mbushur frontin. Vetë instruktorët me përvojë janë konsumuar nga lufta. Sipas raportimeve, rekrutët kanë marrë vetëm përgatitje elementare para se të hidheshin në luftime.
Prandaj, Putini përballet me një zgjedhje të zymtë: të vazhdojë të ushqejë makinerinë grirëse ose të pranojë se “operacioni i tij special ushtarak” ka dështuar. Retorika e tij gjithnjë e më e ashpër ndaj Britanisë dhe mbështetësve të tjerë evropianë të Ukrainës sugjeron një Kremlin gjithnjë e më të frustruar nga situata në fushëbetejë dhe të dëshpëruar për ta thyer vendosmërinë e Perëndimit. Putini duket se beson se, nëse thjesht arrin të qëndrojë më gjatë se Ukraina dhe aleatët e saj, fitorja do të dalë disi nga rraskapitja.
Nuk duhet ta lejojmë. Britania, Franca dhe aleatët tanë evropianë duhet ta shpërfillin retorikën kërcënuese dhe të përqendrohen tek e vetmja gjë me rëndësi: ta mbajnë Ukrainën të armatosur, të furnizuar dhe të aftë për të luftuar. Kërcënimet e Putinit synojnë të na frikësojnë që ta bëjmë pikërisht të kundërtën.
Ironia është se mobilizimi i ardhshëm rus në fund mund ta dobësojë Putinin në vend që ta forcojë. “Djemtë e rinj në zink” nuk do të vijnë domosdo nga skajet më të varfra të Rusisë ose prej qelive të burgjeve. Ata mund të vijnë pikërisht nga familjet të cilat deri tani kanë qenë të mbrojtura nga pasojat e marrëzisë së Putinit.
Gratë e Moskës në fund e detyruan Kremlinin t’ua kthente djemtë në shtëpi. Putini mund të jetë duke krijuar një brez të ri nënash ruse me të njëjtën vendosmëri. Dhe, nëse Ukraina vazhdon t’i rezistojë frontit, trashëgimia më e madhe e kësaj lufte katastrofike mund të jetë që Rusia të dalë prej saj aq e dobësuar ushtarakisht saqë, për shumë vite në vazhdim, thjesht të mos ketë forcat konvencionale për të kërcënuar pjesën tjetër të Evropës.
Se kush do të vijë pas Putinit, askush nuk mund ta dijë. Mund të jetë më mirë. Mund të jetë shumë më keq. Por, një gjë është e sigurt: edhe 300 mijë rusë të tjerë të hedhur në makinerinë grirëse nuk do ta zhdukin katastrofën strategjike të Putinit. Kjo thjesht mund t’i sjellë pasojat e luftës së tij te dyert e njerëzve që deri tani kanë qenë të kursyer. /Telegrafi/


