Putini sapo ka zbuluar përmasat e llogaritjes së tij të fundit të gabuar
Burimi: The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Presidenti Donald Trump më në fund ka humbur durimin me Vladimir Putinin. Pasi premtoi një shpallje “të madhe” për Rusinë, Trumpi tani ka konfirmuar se ShBA-ja do të rrisë ndjeshëm furnizimet me armë për Evropën, për përdorim në Ukrainë, ndërsa ka kërcënuar me tarifa sekondare prej 100 për qind ndaj partnerëve tregtarë të Rusisë. Trumpi do t’i ofronte Rusisë rrugëdalje, vetëm nëse Putini do të pranonte një armëpushim në Ukrainë brenda 50 ditëve.
Ky njoftim duhet t’i japë fund çdo spekulimi të mbetur se presidenti ishte i gatshëm t’ia dorëzonte - në mënyrë të njëanshme - Ukrainën, Rusisë. Këto shqetësime arritën kulmin pas takimit të tij katastrofik në shkurt, në Zyrën Ovale, me Volodymyr Zelenskyn, dhe pas një moratoriumi të përkohshëm për ndarjen e informacionit dhe dërgesat e armëve për Ukrainën. Që nga momenti kur Kievi rivendosi besimin me administratën Trump, duke pranuar një armëpushim 30-ditor në Xheda më 11 mars, Shtëpia e Bardhë e ka parë Rusinë si pengesën kryesore për paqen.
Fillimisht, Trumpi qartazi besoi se mund ta orientonte Rusinë drejt paqes përmes dialogut konstruktiv. Ai e telefonoi rregullisht Putinin, dhe i dërguari i tij Steve Witkoff shprehu gatishmëri për të legjitimuar pushtimin rus të territorit ukrainas. Por, Putini i trajtoi këto gjeste pajtuese si shenja dobësie dhe vendosi të përshkallëzojë luftën. Sulmet me dronë dhe raketa, në përmasa rekorde mbi qytetet ukrainase, pasqyruan besimin e Putinit në pandëshkueshmërinë e tij dhe në mungesën e gatishmërisë së Trumpit për përshkallëzim.
Ashtu siç e nënvlerësoi vendosmërinë ukrainase dhe ndihmën ushtarake perëndimore pas pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, arroganca e Putinit është zënë në befasi. Masat e reja të Trumpit nuk i përmbushin të gjitha pritshmëritë e Ukrainës, por kanë potencialin të shkaktojnë dëme serioze në makinerinë luftarake të Rusisë dhe në ekonominë e saj të dobësuar.
Meqenëse administrata e Joe Bidenit kishte furnizuar Ukrainën me një numër të vogël raketash me rreze të gjatë, ATACMS, këto rezerva ishin, sipas raporteve, shteruar në fund të janarit. Ukraina është detyruar të mbështetet kryesisht në risitë e saj në dronë, për të goditur objektivat thellë brenda territorit rus, ndërsa sulmi i saj i 1 qershorit – Operacioni Rrjeta e Merimangës – ndaj bombarduesve strategjikë rusë ishte një sukses spektakolar.
Edhe pse raketat e reja amerikane nuk do ta ndryshojnë në mënyrë të njëanshme rrjedhën e luftës, ato mund të zgjerojnë aftësinë e Ukrainës për të goditur infrastrukturën ushtarake dhe ekonomike të Rusisë. Edhe pa mbështetje shtesë nga ShBA-ja, raportet sugjerojnë se Ukraina kohët e fundit ka qenë në gjendje të godasë një tubacion të rëndësishëm gazi në Langepas, në rajonin Tjumenj të Rusisë, që furnizon objekte ushtarake në Çeliabinsk, Orenburg dhe Sverdlovsk. Me më shumë ndihmë nga ShBA-ja, mundësitë e Ukrainës rriten ndjeshëm.
Shumëçka varet nga natyra e teknologjisë që ShBA-ja është e gatshme të eksportojë. Ukraina shpreson që Trumpi do të miratojë dërgimin e raketave me goditje precize (PrSM), një përditësim i sapo zhvilluar i ATACMS që është i përputhshëm me sistemet HIMARS. PrSM ka një rreze goditjeje prej afërsisht 500 kilometra, që është ndjeshëm më e lartë se rrezja 300 kilometra e ATACMS.
Meqenëse PrSM-ja nuk është autorizuar për dërgim as te aleatët më të afërt të NATO-s, raketat JASSM-ER, të përputhshme me aeroplanët F-16, janë opsione më të besueshme për Ukrainën. Këto raketa mund të godasin objektiva deri në 925 kilometra larg dhe mund të përmbushin mburrjet e Trumpit për miratimin e goditjeve ndaj Moskës. Edhe nëse ai mjaftohet vetëm me më shumë ATACMS, ky do të jetë një sinjal për Putinin se nuk ka më frikë nga shantazhi bërthamor i Kremlinit.
Tarifat sekondare të Trumpit ndaj partnerëve kryesorë tregtarë të Rusisë mund të jenë të vështira për t’u zbatuar, pa cenuar aspekte të tjera të agjendës së tij ekonomike. Për shembull, vendosja e tarifave ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, një qendër kyçe financiare për elitat ruse të biznesit, mund të komprometojë fluksin e investimeve që janë premtuar gjatë vizitës së Trumpit në Abu Dhabi në maj.
Këto tarifa gjithashtu do të rrezikonin një spirale përshkallëzimi në luftën tregtare të ShBA-së me Kinën dhe do të mund të shkatërronin negociatat tregtare të fazës përfundimtare me Indinë. Meqë Rusia tashmë është shkëputur në masë të madhe nga rrjetet financiare të dominuara nga Perëndimi, pasojat ekonomike afatshkurtra për partnerët tregtarë të ShBA-së, në botën në zhvillim, mund të jenë më të këqija sesa për vetë Rusinë.
Megjithatë, çdo tarifë e re do të kufizojë zinxhirët e furnizimit të importeve të Rusisë dhe do të përkeqësojë inflacionin në rritje. Nëse shoqërohen me sanksione të reja sektoriale dhe individuale, dëmi për ekonominë e luftës së Rusisë mund të jetë i thellë. Në Forumin Ekonomik të Shën Petersburgut, në qershor 2025, ministri rus i Zhvillimit Ekonomik, Maksim Reshetnikov, sinjalizoi se një recesion mund të jetë i afërt. Ky rrezik sapo është rritur ndjeshëm.
Trumpi më në fund ka kuptuar se Putini mund të ndalet vetëm përmes intensifikimit të presionit ekonomik dhe ushtarak mbi makinerinë e tij të luftës. Ky ndërgjegjësim mund të mos e përfundojë menjëherë luftën, por do të sjellë një lehtësim për ukrainasit të cilët përballen me bombardimet e përditshme nga Rusia. /Telegrafi/


