Please enter at least 3 characters.

Punime pranë parkut, Komuna e Kaçanikut thotë se zgjasin tri ditë

Komuna e Kaçanikut ka njoftuar se punimet që po zhvillohen në trotuarin afër parkut të qytetit po realizohen nga kompania “Vala”, me qëllim të vendosjes së kabllit optik, pasi kablli ekzistues është dëmtuar gjatë punimeve në trasenë e hekurudhës.

Sipas njoftimit, punimet janë lejuar nga Drejtoria e Urbanizmit, Kadastrit dhe Mbrojtjes së Mjedisit (DUKMM), në përputhje me memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Kaçanikut dhe kompanisë “Vala”.

“Këto punime janë lejuar nga DUKMM, në përputhje me memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet Komunës dhe kompanisë Vala”, thuhet në njoftim.

Komuna thekson se leja është dhënë me kusht që pas përfundimit të punimeve, trotuari të rikthehet në gjendjen e mëparshme.

“Leja është dhënë me kusht të qartë që pas përfundimit të punimeve, trotuari të rikthehet në gjendjen e mëparshme”, bëhet e ditur më tej.

Sipas komunës, punimet do të zgjasin vetëm tri ditë dhe janë të domosdoshme për të siguruar funksionim të qëndrueshëm të rrjetit të komunikimit.

“Punimet do të zgjasin vetëm 3 ditë dhe janë të domosdoshme për të siguruar funksionim të qëndrueshëm të rrjetit të komunikimit, në shërbim të të gjithë qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Duke kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për shqetësimet e përkohshme, Komuna e Kaçanikut ka thënë se punimet po realizohen me synim përmirësimin e shërbimeve dhe infrastrukturës në qytet.

Njoftimi është nënshkruar nga drejtori për Urbanizëm, Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit, Korab Krasniqi. /Telegrafi/