Punë të mbarë zonja Presidente!
Mesazhe nga udhëheqës anë e mbanë botës vazhdojnë të arrijnë në zyrën presidenciale të Kosovës duke uruar zgjedhjen e Zonjës Atifete Jahjaga në detyrën e lartë si Presidente e Kosovës. Ndër të tjerë, Presidenti i Shteteve te Bashkuara, Zoti Barack Obama, në urimin e tij, vlerësoi zgjedhjen e Zonjës Jahjaga si një dëshmi “të pjekurisë politike në rritje në Kosovë”. Duke nënvizuar miqësinë e Shteteve të Bashkuara me popullin shqiptar, Presidenti amerikan theksoi se “Shtetet e Bashkuara mbeten mik i patundur i popullit të Kosovës…, dhe se do të vazhdojmë të punojmë me institucionet tuaja për të çuar përpara reformat e nevojshme për ndërtimin e një demokracie gjithëpërfshirëse…”, tha në mesazhin e tij drejtuar Presidentes Jahjaga, Presidenti amerikan.
Në historinë e Kosovës, por edhe të kombit shqiptar, ky është një moment me të vërtetë historik që në krye të shtetit zgjidhet një grua. Gratë në udhëheqje politike - në cilëndo shoqëri - janë të detyruara të luajnë një rol delikat balancimi në veprimtarinë e tyre, sidomos në një shoqëri ku politika është dominuar gjithmonë nga meshkujt. Jam i bindur se Presidentja Jahjaga, megjithëse është në detyrën e re vetëm për pothuaj tri javë, i di mirë sfidat personale me të cilat përballet ajo vetë si individe, por edhe sfidat me të cilat përballet vendi i saj.
Këto sfida janë të mëdha. Disa prej tyre, Presidentja e re i ka theksuar në fjalimet dhe intervistat e dhëna medias deri tani dhe në të njëjtën kohë ajo ka nënvizuar gjithashtu edhe vizionet e saj për Kosovën. Jam i sigurt se presidentja e re është e vetëdijshme se zbatimi i vizioneve është më i vështirë se sa artikulimi i tyre. Sfidat me të cilat përballet Kosova janë tepër të mëdha për tu zgjidhur nga një person ose nga një parti. Përbërja e kabinetit me persona të kualifikuar dhe me mendime ndryshe, mendimet e te cilëve nganjëherë mund të mos pajtohen me tuat, është jetike. Marrja e vendimeve pa konsultim të gjerë mund të çojë në katastrofë, ndërsa bashkëpunimi edhe me kundërshtarët, e bën të mundshëm suksesin për të gjithë dhe në te mirën e vendit. Megjithë rezervimet e shprehura nga disa qarqe e disa persona, besoj se Presidentja e re e Kosovës i ka aftësitë, temperamentin dhe karakteristikat e nevojshme për të qenë një president e mirë.
Qytetarët e Kosovës, por edhe Shqiptarët kudo, presin që - Presidentja e re e Kosovës, siç duket politikisht e pavarur nga partitë kryesore politike të vendit, udhëheqësit e të cilave e zgjodhën atë me konsensus - t’i tregojë botës se Kosova me zgjedhjen e Presidentes Atifete Jahjaga ka ndërmarrë një hap të ri - ka filluar një periudhë kur shpresohet që politika të bëhet arti i shërbimit publik dhe jo të përdoret si platformë për grumbullim parash e pasurish të patundura për politikanët.
Askush nuk mund të pres që Presidentja e re e Kosovës të jetë gjithçka për gjithkënd. Por ajo mund të jetë presidente që i di sfidat me të cilat përballet vendi, presidente e cila bën planet për tu përballur me këto sfida në të ardhmen dhe e cila do të çojë shtetin e Kosovës përpara, hap pas hapi.
Presidentja Jahjaga u shpreh ditët e fundit, gjatë takimit me udhëheqësit e Kishës Katolike të Kosovës, me rastin e Pashkëve, se e fillon detyrën e re si presidente qe beson “në vlerat e gjithë njerëzve si krijesa të Perëndisë”.
Gjatë fjalimit te saj, para parlamentit të Kosovës, kur pranoi detyrën e lartë, Zonja Jahjaga vuri gjithashtu në dukje edhe sensin e saj të historisë dhe respektin e saj për figurat historike të kombit shqiptar, duke thënë se:
“Në rrugën tonë jemi krenarë në lavdinë, jemi krenarë në shëmbëlltyrën e (Gjergj Kastriotit) Skënderbeut, në personalitetin e Nënës Terezë, në aktin sublim të Adem Jasharit dhe në veprimtarinë e Ibrahim Rugovës. Të gjithë këto personalitete, si edhe shumë të tjerë gjatë shekujve dhe në ditët tona, interesin e vendit dhe të popullit e vunë përpara vetes dhe me dritën e veprës së tyre shndritën deri në ditët tona e do të shndrisin edhe në të ardhmen, duke na e përcaktuar qartë rrugën tonë, përkushtimin dhe idealin për të qenë të ndershëm, për të qenë të dinjitetshëm, të lirë dhe të barabartë”.
Me ndihme te Zotit dhe duke u bazuar në shëmbëlltyrën e atyre që me shekuj derdhen gjakun për lirinë e kombit, për hir të Kosovës dhe për një të ardhme më të mirë të kombit shqiptar, të uroj punë të mbarë në detyrën si presidente e shtetit te ri të Kosovës.


