Please enter at least 3 characters.

Publikohen disa nga pikat e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët

2019/08/emigrantet.jpg

Agjencia për Media dhe Informim publikoi sot disa fakte mbi protokollin mes Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për fuqizimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, nënshkruar dje nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni në Romë.

Konkretisht neni 3 i kësaj marrëveshje përcakton se Italia merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse.

Marrëveshja parashikon se Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e migrantëve (neni 4).

Po ashtu, kufiri maksimal do të jetë jo më shumë se 3 mijë persona të strehuar në të njëjtën kohë (neni 4).

Italia përballon çdo shpenzim për migrantët e strehuar përfshirë çdo kosto të kujdesit shëndetësor dhe çdo kosto tjetër të parashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare (neni 6).

Po ashtu, në marrëveshje përcaktohet se afati maksimal i qëndrimit të një emigranti nuk mund të jetë më i madh se koha e nevojshme për procedurat e azilit/mbrojtjes.

Në përfundim të procedurave, pala italiane kryen me shpenzimet e saj largimin e migrantëve nga Shqipëria (neni 9).

Në daljen e përbashkët për shtypin në Romë me Kryeministren Meloni, Rama u ndal tek borxhi që Shqipëria i ka Italisë, popullit dhe institucioneve italiane për atë që kanë bërë për shqiptarët që nga dita e parë që refugjatët e viteve ’90 arritën në Itali. “Nëse Italia thërret, Shqipëria përgjigjet”, u shpreh ai.

Ndërsa Kryeministrja Meloni vlerësoi marrëveshjen se pasuron miqësinë midis dy kombeve në partneritet strategjik me njëri-tjetrin. Meloni shtoi se Shqipëria, jo vetëm që konfirmohet një mike e Italisë, por edhe e BE. “Edhe pse nuk është formalisht pjesë e BE, por është kandidate për hyrjen në BE, sillet, ka një qasje sikur të jetë tashmë një vend i BE”, tha Meloni. /Telegrafi/