Please enter at least 3 characters.

Pse vetura juaj tregon temperaturë të gabuar?

Edhe pse çdo automjet ka një matës në panelin e instrumenteve për shfaqjen e temperaturës së jashtme, veturat moderne në fakt nuk kanë termometra klasikë.

Në vend të tyre, ato janë të pajisura me të ashtuquajturit termistorë, pra një lloj të veçantë rezistence elektrike (rezistenca e së cilës zvogëlohet kur temperatura rritet). Dallimi është se termometri klasik përdor zhivën për matjen e temperaturës së jashtme, ndërsa termistori e mat temperaturën bazuar në ndryshimet e rrymës elektrike.

Zakonisht temperatura matet me termometër me zhivë. Zhiva e lëngshme në termometër zgjerohet dhe ngrihet në një vlerë të caktuar kur nxehet, ndërsa tkurret dhe bie në vlera më të ulëta kur ftohet. Nga ana tjetër, termistori mat ndryshimin e rrymës elektrike që krijohet si rezultat i shtimit ose humbjes së nxehtësisë.

Problemi nuk qëndron te vetë termistori i makinës. Termistorët në përgjithësi janë të saktë, për të mos përmendur faktin se janë të vegjël dhe të lirë për t’u prodhuar. Problemi është se në automjete ata zakonisht vendosen në pjesën e përparme të makinës, prapa grilës së përparme.

Sipas faqes meteorologjike The Weather Channel, për shkak të këtij pozicioni termistorët matin kryesisht temperaturën e nxehtësisë që rrezaton nga toka. Sipërfaqet e rrugëve thithin shumë nxehtësi dhe rrezatim diellor, prandaj pranë tokës temperatura është gjithmonë më e lartë.

Si pasojë, temperatura që makina shfaq gjatë ditëve me diell është shpesh më e lartë se temperatura reale e jashtme. Kjo do të thotë se dallimi mes temperaturës që tregon makina dhe asaj reale mund të arrijë deri në 5 gradë Celsius.

Kur nuk ka diell, temperatura që shfaq makina zakonisht është disi më e saktë. Dallime shfaqen edhe gjatë ditëve të ftohta. Rruga shpesh është më e ftohtë se ajri, kështu që temperatura e jashtme mund të jetë një ose dy gradë më e lartë se ajo që shfaqet në panelin e instrumenteve.

Megjithatë, kjo nuk është domosdoshmërisht diçka e keqe, sepse sistemi elektronik i veturës do t’ju paralajmërojë më herët për mundësinë e ngricës në rrugë. Zakonisht sinjali i paralajmërimit ndizet kur temperatura bie në rreth 3 gradë Celsius. /Telegrafi/