Please enter at least 3 characters.

Pse Real Madridi po mendon ta shesë Viniciusin? Këto janë tri arsyet kryesore

Real Madridi raportohet se është i gatshëm të shqyrtojë largimin e Vinicius Juniorit gjatë kësaj vere, nëse Arsenali e konkretizon interesimin e tij me një ofertë të madhe financiare.

Sipas Daily Mail, bisedimet për rinovimin e kontratës së brazilianit kanë ngecur dhe nuk kanë shënuar asnjë përparim gjatë 12 muajve të fundit.

Vinicius, i cili ka hyrë në sezonin e fundit të kontratës së tij me klubin madrilen, po kërkon një pagë të ngjashme me atë të Kylian Mbappes, futbollistit më të paguar në skuadër, si dhe një bonus të majmë besnikërie. Nga ana tjetër, Real Madridi nuk dëshiron të rrezikojë ta humbasë lojtarin si futbollist të lirë në verën e vitit 2027.

Raporti shton se trajneri Jose Mourinho nuk pritet ta bllokojë një transferim të mundshëm, pavarësisht se e vlerëson shumë cilësinë e Viniciusit.

Portugezi besohet se largimi i brazilianit do ta zgjidhte një problem taktik që kishte shqetësuar edhe paraardhësit e tij, Carlo Ancelottin dhe Xabi Alonson. Sipas raportit, Viniciusi dhe Mbappe preferojnë të luajnë në të njëjtat hapësira të sulmit, ndërsa kontributi i tyre në fazën mbrojtëse është i kufizuar.

Probleme raportohet se ka pasur edhe jashtë fushës. Marrëdhënia mes Viniciusit dhe Mbappes nuk ka qenë ideale, me francezin që, sipas Daily Mail, e konsideronte brazilianin si një nga arsyet që çuan në largimin e Xabi Alonsos.

Gjithçka nisi pasi Vinicius reagoi ashpër ndaj një zëvendësimi, duke krijuar tensione që dobësuan pozitën e trajnerit spanjoll. Alonso u shkarkua më vonë, pavarësisht se Mbappe kishte tentuar ta mbështeste duke luajtur në Superkupën e Spanjës edhe pse nuk ishte plotësisht i gatshëm fizikisht.

Raporti rikujton edhe përplasjen mes Mourinhos dhe Viniciusit pas ndeshjes së play-offit të Ligës së Kampionëve ndaj Benficas.

Braziliani kishte akuzuar Gianluca Prestiannin për ofendime raciste, ndërsa Mourinho deklaroi pas ndeshjes se nuk mund të konfirmonte versionin e asnjërës palë. Trajneri kritikoi gjithashtu mënyrën se si Viniciusi festoi golin e tij, gjë që nuk u prit mirë nga kampi i futbollistit dhe marrëdhëniet mes tyre mbetën të ftohta.

Me negociatat për kontratën që vazhdojnë të jenë të bllokuara, Real Madridi ka dy alternativa.

Klubi mund t'i plotësojë kërkesat e Viniciusit me një kontratë prej 30 milionë eurosh në sezon, plus një bonus besnikërie prej 15 milionë eurosh, ose ta shesë atë gjatë kësaj vere nëse Arsenali paraqet një ofertë të kënaqshme, duke shmangur kështu rrezikun që ta humbasë pa dëmshpërblim pas skadimit të kontratës./Telegrafi/