Please enter at least 3 characters.

Pse edhe njerëzit e dobët kanë kolesterol të lartë? Shkaku që shumica nuk e dinë

Pamja e jashtme mashtron - edhe ushqimi i shëndetshëm nuk mjafton gjithmonë

Hulumtimet në fushën e gjenetikës dhe lipideve tregojnë se nivelet e kolesterolit në gjak përcaktohen më shumë nga gjenet sesa nga ushqimi, pesha trupore apo aktiviteti fizik.

Mëlçia prodhon pjesën më të madhe të kolesterolit në organizmin tonë, ndërsa ritmi i kësaj prodhimi kontrollohet kryesisht nga gjenet. Për këtë arsye, disa njerëz, edhe pse ushqehen shëndetshëm dhe ushtrojnë rregullisht, mund të kenë nivel të lartë të kolesterolit LDL, i cili grumbullohet në muret e arterieve dhe me kalimin e kohës i ngushton ato, duke rritur rrezikun për sëmundje kardiovaskulare.

A është kolesteroli i lartë gjithmonë i trashëguar?

Edhe pse gjenetika luan një rol të rëndësishëm, shumica e rasteve me kolesterol të lartë nuk janë të trashëguara. Tek shumica e njerëzve, rritja e vlerave lidhet me stilin e jetesës: ushqim të pasur me yndyra të ngopura dhe yndyra trans, mungesë aktiviteti fizik, mbipeshë dhe stres kronik. Në rritjen e kolesterolit mund të ndikojnë edhe sëmundje të caktuara si diabeti, hipotiroidizmi, sëmundjet kronike të veshkave dhe mëlçia e dhjamosur, si edhe disa barna (kortikosteroide, diuretikë, beta-bllokues).

Forma e trashëguar, e njohur si hiperkolesterolemia familjare (FH), përbën më pak se 5% të të gjitha rasteve, por është më e rrezikshme sepse shfaqet herët dhe zakonisht nuk reagon mjaftueshëm ndaj ndryshimeve në ushqim dhe stil jete.

Mjekët po vërejnë gjithnjë e më shpesh se edhe njerëz të dobët, që nga jashtë duken plotësisht të shëndetshëm, mund të kenë depozitime të konsiderueshme në enët e gjakut, të ngjashme me ato të personave shumë më të moshuar. Pikërisht për këtë arsye, ekspertët theksojnë se pamja e jashtme nuk është tregues i sigurt i shëndetit të brendshëm, transmeton Telegrafi.

Cilat gjene “punojnë kundër jush”?

Një nga shkaqet më të shpeshta është hiperkolesterolemia familjare (FH), një gjendje e trashëguar që prek rreth një në 200-250 persona. Bëhet fjalë për mutacione gjenetike (më së shpeshti në gjenet LDLR, APOB ose PCSK9), për shkak të të cilave organizmi nuk arrin të largojë në mënyrë efikase tepricën e kolesterolit LDL nga gjaku. Si pasojë, vlerat e LDL-kolesterolit mund të tejkalojnë edhe 4.9 mmol/L, pa asnjë simptomë të dukshme.

Pa trajtim, FH rrit ndjeshëm rrezikun për infarkt të hershëm të zemrës ose goditje në tru, shpesh që në të dyzetat. Studime nga Mayo Clinic tregojnë se personat me kolesterol gjenetik të patrajtuar kanë deri në 20 herë rrezik më të lartë për sëmundje kardiovaskulare në moshë të re.

Mos prisni simptomat

Mënyra më e thjeshtë për të zbuluar nëse jeni në rrezik është analiza e gjakut. Rekomandohet kryerja e një profili lipidik, i cili mat kolesterolin total, HDL, LDL dhe trigliceridet. Nëse vlerat e LDL-së janë të larta, ndërkohë që pesha, ushqimi dhe stili i jetesës janë të rregullta, mjeku mund të dyshojë për një formë të trashëguar dhe të rekomandojë kontroll edhe për anëtarët e familjes, si dhe – nëse është e mundur – testim gjenetik.

Mjekët apelojnë që të mos priten simptomat, por të kontrollohet profili lipidik të paktën një herë në vit. Kolesteroli nuk dhemb, por në heshtje dëmton enët e gjakut dhe zemrën, pavarësisht nëse jeni të dobët apo në peshë ideale. /Telegrafi/