Prokuroria kërkon paraburgim për dy persona, dyshohen për shitblerje të rreth 5.5 kilogramëve drogë
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, F.D., shtetas i Shqipërisë, dhe E.D., shtetas i Kosovës, të dyshuar për trafikim të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas Prokurorisë, dy të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi ose kontroll i paautorizuar i armës”.
Rasti është zbuluar më 2 shtator, gjatë veprimeve hetimore të Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Ferizaj.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e F.D. në Ferizaj janë gjetur dhe konfiskuar katër kavanoza me marihuanë, me peshë totale prej 4.929 kilogramësh, si dhe 4.6 gramë kokainë.
Në cilësinë e provave materiale janë konfiskuar edhe një peshore digjitale, foli transparente dhe qese për paketim, një pistoletë me gaz me karikator, pesë fishekë, para të gatshme në euro dhe lekë, një veturë “Passat” me targa të Shqipërisë, telefona dhe kartela SIM.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në bodrumin e një banese në rrugën “Beteja e Koshares” në Ferizaj, tek i dyshuari E.D. është gjetur dhe konfiskuar 566 gramë marihuanë, ndërsa janë sekuestruar edhe sasi të tjera prej 21.7 gramësh, 0.49 gramësh dhe 0.2 gramësh.
Në total, sipas të dhënave të Prokurorisë, gjatë aksionit janë sekuestruar rreth 5.5 kilogramë substanca të dyshuara narkotike, kryesisht marihuanë, si dhe kokainë.
Prokuroria vlerëson se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të parapara me nenet 267 dhe 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
F.D. dhe E.D. ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh, të caktuar nga Prokurori i Shtetit më 2 shtator 2026.


