Probleme edhe te Shqipëria, shteti zviceran ia ndalon dy yjeve të Kombëtares të udhëtojnë drejt Tiranës
Kombëtarja e Shqipërisë ka publikuar listën me futbollistët e ftuar për dy ndeshjet e muajit shtator.
Kuqezinjtë do të nisin nesër (e hënë) përgatitjet për dy ndeshjet zyrtare ndaj Bjellorusisë dhe Lituanisë të vlefshme për eliminatoret e Ligës së Kombeve.
Ndërkohë Federata Shqiptare e Futbollit dhe stafi i Kombëtares po punojnë për zgjidhjen e problematikave që janë hasur në lidhje me lëvizjet e futbollistëve nga njëri vend në tjetrin për shkak të masave kufizuese të imponuara nga pandemia COVID-19.
FSHF ka konfirmuar se shteti zviceran për momentin i ka bllokuar dy yjet e Kombëtares, Ermir Lenjanin dhe Florian Kamberin të udhëtojnë drejt Tiranës.
FSHF njofton se edhe Armando Broja nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë ndaj Bjellorusisë, ndërsa listës i është shtuar Endri Çekiçi.
“Bëjmë me dije se vazhdojnë bisedimet me qeverinë zvicerane për të bërë të mundur prezencën e dy lojtarëve, Ermir Lenjani dhe Florian Kamberi, të cilët nuk mund të dalin jashtë kufijve të Zvicrës për shkak të masave kufizuese. Ende nuk ka një përgjigje përfundimtare, teksa FSHF është në kontakt të vazhdueshëm, edhe me ndihmën e UEFA-s, për të bërë të mundur grumbullimin e këtyre dy lojtarëve për dy ndeshjet e shtatorit”“Gjithashtu, për ndeshjen e parë ndaj Bjellorusisë nuk do të jetë i gatshëm Armando Broja, i cili është i skualifikuar për shkak të një kartoni të kuq të marrë në një ndeshje zyrtare me Kombëtaren U-19. Me shlyerjen e skualifikimit, sulmuesi i ri do të jetë nën urdhrat e trajnerit Edoardo Reja dhe i gatshëm për të luajtur për ndeshjen e dytë ndaj Lituanisë”.


