Please enter at least 3 characters.

Prekazi, vendi i sakrificës për lirinë e Kosovës

2016/01/prekazi-vendi-i-sakrific-euml-s-p-euml-r-lirin-euml-e-kosov-euml-s_hd.jpg

Të shumtë ishin liderët dhe aktivistët politikë dhe qytetarët nga të gjitha anët e vendit që ia mësyen këtij Prekazit për të vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe familjen Jashari dhe për të nderuar sakrificën dhe veprën e dëshmorëve të kombit. Ishte një kremte e madhe, duke qenë se populli shqiptar po feston tri ngjarje historike në një datë të vetme - 28 Nëntorin.

Prekazi dhe kompleksi memorial “Adem Jashari” u vlerësua të jetë vendi më ideal për t’i nderuar gjithë dëshmorët e të gjitha kohërave që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptarë.

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti me bashkëpunëtorë ishte i pari që vizitoi Kompleksin Memorial dhe familjen Jashari. “Ideja e Shqipërisë”, deklaroi ai me këtë rast, “ka lindur heronj dhe heronjtë e kanë bërë Shqipërinë”.

“28 Nëntori është ditëlindja e pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëlindja e komandantit Adem Jashari. Pikërisht në 43 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ka lindur komandanti Adem Jashari dhe pikërisht në vitin e 43 të lindjes së tij ai bie heroikisht për Shqipërinë. Ideja e Shqipërisë ka lindur heronjtë dhe heronjtë e kanë bërë Shqipërinë. Duke i nderuar ata ne ecim rrugës së ndriçuar”, tha Kurti.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të partisë Nisma për Kosovën Jakup Krasniqi tha se momenti dhe rasti më i mirë për të përkujtuar, për t’u përkulur para gjithë dëshmorëve të kombit të të gjitha kohëve është ardhja në kompleksin memorial të Jasharajve.

“Konsiderojmë se sot, në Ditën e Pavarësisë, në Ditën e Flamurit, në ditët e UÇK-së dhe në ditëlindjen e komandantit Adem Jashari, momenti dhe rast më i mirë, për të përkujtuar, për t’u përkulur para gjithë dëshmorëve të kombit të të gjitha kohëve, është ardhja në këtë Kompleks Memorial të Jasharajve, ku është sakrifica, më sublime e bërë ndonjëherë nga populli ynë. Por, kjo është një nga sakrificat më sublime, pa hezituar mund të them, të njerëzimit, ku tre breza dhanë jetën që brezat e tjerë ta gëzojnë lirinë dhe ta gëzojnë jetën”, tha Krasniqi.

Nderime veprës dhe sakrificës së Adem Jasharit dhe dëshmorëve të tjerë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, bënë edhe komandanti i Forcave të Sigurisë të Kosovës Kadri Kastrati dhe udhëheqës tjerë të FSK-së.

“Unë dhe stafi komandues e udhëheqës i FSK-së jemi këtu për nderuar veprën sakrificën e Jasharajve e cila në atë kohë mobilizoi tërë popullin shqiptar, mobilizoi edhe me shumë pjesëtarët e UÇK-së dhe ne, si pjesëtarë të FSK-së, kemi kaluar nëpër kohë dhe kemi ardhur në prag të formimit të Forcave të Armatosura, gjë që ka qenë edhe ëndërr jo vetëm e komandantit legjendar, por edhe e gjithë shqiptarëve kudo që janë”, tha Kastrati.

Edhe Shoqatat e Dala nga Lufta bënë nderime në kompleksin memorial në Prekaz, duke vlerësuar lart veprën dhe sakrificën e Adem Jasharit.

Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Smajl Elezi tha se 28 Nëntori është data më e rëndësishme për popullin shqiptar.

I gjatë ishte edhe vargu i qytetarëve që vizitonin Prekazin dhe Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Ndër ta ishte edhe Haxhi Skënderi i cili tha se, nëse jo më shpesh, çdo 28 nëntor viziton Prekazin. Por, ai ka pasur edhe një porosi për gjithë shqiptarët.

Me 28 nëntor të vitit 1997, në ditën e pavarësisë së Shqipërisë, doli publikisht në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe pikërisht me 28 nëntor është edhe ditëlindja e Komandantit Legjendar Adem Jashari. /KP/