Please enter at least 3 characters.

Politikani kanadez lexon gabimisht udhëzimin e AI-së gjatë fjalimit në parlament

Një moment i pazakontë ka ndodhur gjatë një fjalimi në Asamblenë Legjislative të New Brunsvikut në Kanada, kur politikani Bill Oliver lexoi pa dashje një tekst të krijuar si udhëzim për inteligjencën artificiale.

Oliver po fliste për rreziqet e krijimit të një zyre për mbrojtjen e konsumatorëve të energjisë, kur gjatë fjalimit lexoi një fjali që nuk ishte pjesë e deklaratës së tij politike, por një komandë për një sistem AI.

“Ja një version më natyral dhe më i rrjedhshëm i kësaj pjese, që tingëllon si një fjalim legjislativ dhe jo si një seri pikash të shkurtra”, tha ai para deputetëve.

Pavarësisht gabimit, politikani vazhdoi menjëherë fjalimin e tij me qetësi, pa e ndërprerë paraqitjen dhe pa komentuar incidentin.

Videoja e momentit u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, duke nxitur reagime dhe humor nga përdoruesit, të cilët vunë në dukje se fragmenti i lexuar ishte një shembull tipik i një udhëzimi që përdoret për t’i kërkuar një modeli të inteligjencës artificiale të riformulojë tekstin.

Rasti është një tjetër shembull i mënyrës se si mjetet e inteligjencës artificiale po bëhen pjesë e përditshmërisë, përfshirë edhe përgatitjen e fjalimeve dhe dokumenteve publike, por gjithashtu tregon rëndësinë e kontrollimit të materialeve përpara se ato të përdoren në publik. /Telegrafi/