Please enter at least 3 characters.

Politika e Beogradit e njeh pavarsinë e Kosovës

- Kosova çështje e kryer: Beogradi dhe Shkupi pranojnë kushtet e BE-së, nuk ka ndryshim të kufijve, nuk ka konflikte. Na dëgjoni ne nëse dëshironi liberalizim të vizave -

Edhe Bashkimi Evropian është lodhur me konfliktet e pazgjidhura të vendeve të Ballkanit. Nëse dëshironi të lëvizni të lirë, nëse doni të jeni brenda familjes sonë, tani ka ardhur fundi, ju duhet të bëheni të dëgjueshëm, kështu ju tha gjatë vizitave të bëra të diplomatëve të ndryshëm nga vendet e BE-s, politikanëve të Qeverisë së Beogradit dhe atyre të Shkupit. Ne jemi lodhur me ju. Çështja e Kosovës tani është çështje e Bashkimit Evropian, dhe ne kemi misionin tonë EULEX, i cili vepron në Kosovë dhe me sukses po e kryen misionin që i është besuar.

Si duket BE, tani po e merr më seriozitet zgjidhjen dhe dhënien fund të konflikteve dhe integrimin e Ballkanit brenda familjes së saj dhe kjo nismë do të jetë një nxitje për rajonin në plotësimin e kritereve dhe vazhdimin e negociatave në liberalizimin e vizave.

Komisioni Evropian do të përqendrohet në respektimin për të drejtat themelore, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vendet e Ballkanit dhe do t’i monitorojë me kujdes ato.

Opozita serbe e pranon se ky fakt është ekuivalent me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe shkëputjen e saj përfundimtare nga Beogradi.

Rekomandimet e Bashkimit Evropian për futjen e Serbisë në të ashtuquajturën “Listë e bardhë e Shengenit” nga politika udhëheqëse e Beogradit po komentohet me entuziazëm, ndërsa po has në kundërshtim te opozita serbe, e cila ka kritikuar përjashtimin e Kosovës nga përfitimi i liberalizimit të vizave.

Presidenti serb Boris Tadiq si dhe Kryeministri Mirko Cvetkoviq deklarohen se Serbia është e përkushtuar të vazhdojë rrugën e reformave drejt integrimit të plotë të vendit në Bashkimin Evropian.

Kritika të forta kanë rrjedhur nga anët e opozitës, sipas të cilës është i papranueshëm përjashtimi i Kosovës nga liberalizimi i vizave , çka nënkupton se ajo nuk është më pjesë e Serbisë.

Madje Dragan Todoroviq nga partia radikale serbe e pranon se: pavarësisht qëndrimeve të Serbisë për të mos njohur Kosovën, vendimi për të mos e përfshirë në përfitimet e Serbisë, bën fakt të kryer njohjen e Pavarësisë së saj.

Politika zyrtare e Beogradit e pranon pakon e Ahtisarit

Qeveria e Beogradit deri tani nuk e njohu misionin EULEX të angazhuar në Kosovë, ndërsa kohëve të fundit ka filluar të flasë me një ton krejt tjetër.

I ashtuquajturi Ministër serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, para disa ditësh u deklarua se “Serbia është e gatshme të bisedojë me EULEX-in “

Është shumë e qartë se misioni EULEX është vendosur sipas Planit dhe Pakos së Ahtisarit dhe është i detyruar të shtrihet dhe të veprojë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Zoti Ahtisari madje me rastin e vizitës në njëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Prishtinë në mbledhjen solemne të Kuvendit para Deputetëve u deklarua: Sipas planit tim Kosova është defakto e pavarur dhe nuk ka kthim mbrapa”.

Serbët duhet të dalin në zgjedhje

A është ky një sinjal që politika e Beogradit ka filluar të ndryshojë në raport me Kosovën

Parandalimi i Krimit të organizuar në Veriun e Republikës së Kosovës funksionimi i dy pikave doganore në Veri nga Shërbimi Doganor, janë qëllimi kryesor i Bashkimit Evropian përmes misionit të vet EULEX, dhe kjo pritet të arrihet shumë shpejt.

Në vendin tonë me 15 nëntor 2009 do të mbahen zgjedhjet e para lokale të cilat do të udhëhiqen nga KQZ-ja e Republikës së Kosovës, dhe ky do të jetë edhe një kusht për Kosovën dhe Beogradin se sa janë të gatshëm që këto zgjedhje të jenë të lira e demokratike:
- Për Prishtinën kushti kryesor do të jetë që sa më shpejt të fillojë me decentralizim dhe formim të komunave të reja, ndërsa
- Për Beogradin kusht do të jetë që të ndikojë dhe të bëjë presion për të mirë që edhe qytetarët serbë të Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje që të kenë udhëheqjen e vet legjitime.

I ashtuquajturi ministër për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, për zgjedhjet lokale të nëntorit, u deklarua se edhe pse disa parti që përfaqësojnë serbët janë regjistruar për zgjedhje nuk ka kushte që serbët të votojnë në Kosovë, pasi këto zgjedhje do të mbahen sipas planit të Ahtisarit, të cilin Serbia nuk e ka njohur, por thekson se decentralizimi është i domosdoshëm në Kosovë .

Deklarimet e Goran Bogdanoviqit janë joserioze dhe naive sepse:

1. Së pari ai deklaron se “Serbia është e gatshme të bisedojë me EULEX-in “
2. Së dyti zgjedhjet do të mbahen sipas planit të Ahtisarit, të cilin Serbia nuk e ka njohur.
3. Së treti thekson se decentralizimi është i domosdoshëm në Kosovë.

Serbët e Kosovës po e kuptojnë se Beogradi i ka manipuluar

-E pranuan liberalizimin e vizave pa qytetarët serbë të Kosovës.
-E kundërshtojnë Planin e Ahtisarit, ndërsa pranojnë EULEX-in ( mision sipas pakos së Ahtisarit).
-Kërkojnë decentralizim dhe e quajnë të domosdoshëm ( edhe ky është paraparë në planin e Ahtisarit).
Kushti i decentralizimit i dhënë Prishtinës ka qenë dhe është i pranueshëm që nga fillimi, por komunitetit serb, të manipuluar nga Bogdanoviq dhe të tjerë, nuk i është lejuar fillimi i këtij procesi deri më sot. Tani ata po kërkojnë që të fillojë ky proces.
Prishtina do të fillojë me decentralizimin por me komuna shumë etnike dhe jo me spastrime dhe me komuna etnikisht të pastra.

Z. Bogdanoviq po i ha qershitë e ...........!

Ne po ballafaqohemi edhe me mungesë të energjisë elektrike. Duhet kuptuar se energjia elektrike është produkt në treg dhe produktet duhet paguar. Sipas evidencës së KEK-ut, enklavat e banuara me serbë kanë detyrimet më të shumta për energjinë e shpenzuar. Ne si qytetarë jemi dëshmitarë se deri para bombardimeve të NATO-s regjimi serb ka kushtëzuar që secili qytetar që ka pasur detyrime ndaj Elektroekonomisë atëherë (tani KEK-ut), ato detyrime t’i kryejë deri me datën 11 të muajit vijues, për muajin e kaluar. Të gjithë i kemi kryer obligimet, madje kemi pritur në radhë.

Bogdanoviq i dërgon një mesazh Qeverisë së Kosovës duke thënë se nuk mund të kërkojë nga serbët që t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike derisa nuk zgjidhet problemi me energji elektrike në vendet ku jetojnë serbet.

Z. Bogdanoviq rryma është produkt dhe produktet duhet paguar.

Nëse ne si qytetarë nuk e paguajmë produktin që e shpenzojmë atëherë asnjëherë nuk mund të zgjidhet problemi i energjisë elektrike. Energjia elektrike duhet paguar nga secili prej nesh, nëse jo, atëherë duhet që ato detyrime t’i marrë përsipër dikush tjetër, ose do të mbesin në errësirë të gjithë ata që nuk paguajnë energjinë elektrike të shpenzuar nga cilido komunitet qoftë ai...

Zgjidhje sa më të shpejtë të mosmarrëveshjes me Greqinë

Sa i përket Maqedonisë lidhur me ndryshimin e emrit, tani Presidenti Ivanov i ka zbutur tonet dhe kërkon një zgjidhje sa më të shpejtë të mosmarrëveshjes me Greqinë.

Maqedonia ka kusht edhe ruajtjen e fqinjësisë së mirë me Kosovën, por edhe me Serbinë dhe çështjet i sheh në zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare si një perspektivë, duke marrë parasysh edhe specifikat e shoqërisë së Maqedonisë, ku duhet të vendosë marrëdhënie sa më të mira me të gjithë fqinjët.

(Autori prof. As. dr. Adem Zogjiani është ekspert i auditit dhe financave)