Policia Rajonale e Prizrenit publikon bilancin gjashtëmujor, 385 operacione dhe 50 armë të sekuestruara
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka prezantuar raportin gjashtëmujor të punës për periudhën janar–qershor 2026, ku janë paraqitur rezultatet, sfidat dhe objektivat e punës për gjysmën e parë të vitit.
Takimi u udhëhoq nga drejtori rajonal i Policisë në Prizren, kolonel Faton Alija, në prani të zëvendësdrejtorit rajonal, nënkolonel Lulzim Shala, si dhe drejtuesve të stacioneve dhe njësive policore në këtë rajon.
Gjatë prezantimit të raportit, Alija ka theksuar si prioritete të punës garantimin e sigurisë publike, forcimin e bashkëpunimit me qytetarët, zbatimin e Strategjisë së Integruar të Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi 2026–2030, rritjen e sigurisë në trafik, si dhe parandalimin dhe hetimin e veprave penale, me fokus të veçantë në rastet e dhunës në familje.
Sipas raportit, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 është shënuar rritje e numrit të veprave penale në rajonin e Prizrenit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Megjithatë, Policia ka evidentuar rritje të nivelit të zbulueshmërisë së rasteve.
“Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 është evidentuar një ngritje prej 7.9 për qind e numrit të veprave penale, por njëkohësisht është shënuar rritje e zbulueshmërisë nga 67.4 për qind në 69.3 për qind”, thuhet në raportin e Policisë Rajonale të Prizrenit.
Në kuadër të aktiviteteve operative, Policia e Prizrenit ka realizuar 385 operacione policore dhe ka sekuestruar 50 armë. Sipas raportit, numri i armëve të sekuestruara ka shënuar ulje prej 19.4 për qind krahasuar me vitin paraprak, që është vlerësuar si trend pozitiv.
Në raport janë përfshirë edhe rezultatet në fushat e sigurisë publike, sigurisë në shkolla, menaxhimit të trafikut rrugor, parandalimit të aksidenteve dhe menaxhimit të situatave emergjente.
Policia ka bërë të ditur se zbulueshmëria e veprave penale dhe incidenteve në rajonin e Prizrenit ka arritur në 79.4 për qind gjatë vitit 2026, krahasuar me 77.4 për qind në periudhën e njëjtë të vitit 2025.
Raporti ka përfshirë edhe rastet e vrasjeve të regjistruara gjatë kësaj periudhe. Sipas Policisë, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 në rajonin e Prizrenit janë regjistruar tri raste të vrasjeve, ndërsa të gjithë të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dorëzuar para organeve të drejtësisë.
“Prej vitesh në rajonin e Prizrenit nuk ka pasur asnjë rast vrasjeje me kryes të pazbuluar, duke dëshmuar efikasitetin e Policisë në ndriçimin e rasteve të rënda”, është theksuar në raport.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka vlerësuar se rezultatet e prezantuara janë tregues i angazhimit të vazhdueshëm të zyrtarëve policorë, ndërsa ka theksuar se mbetet nevoja për përmirësime në fusha të caktuara të sigurisë. /Telegrafi/


