Please enter at least 3 characters.

“Policia përdori lëndë që përdoren në BE dhe SHBA”, Lamallari: Partia e skuthave po paguan mercenarë

Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari tha sot nga seanca e Kuvendit se lëndët irituese të përdorura nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve janë profesionale, dhe përdoren në vende të BE-së dhe SHBA-ve.

"Konfirmoj që lëndët e përdorura nga Policia e Shtetit janë RSG8 TW1000 Professional dhe VESK RSG 8000 Special, lëndë speciale irrituese profesionale për vetëmbrojtje dhe neutralizim të personave të dhunshëm, të certifikuara dhe të përdorura nga forcat policore në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës", u shpreh ministri Lamallari.

Në vijim të replikës së tij, ministri kritikoi ashpër qëndrimin e opozitës ndaj akteve të dhunës në protesta, duke theksuar se ajo duhet të distancohet nga personat që përdorin dhunën dhe tentojnë të fshihen pas protestuesve.

"Lajmi nuk është spray i përdorur. Lajmi është që partia e ‘molotovarëve’ është shndërruar në parti të ‘skuthave’, që hedhin gurin dhe fshehin dorën. Nuk mund të pretendoni se përfaqësoni zërin e protestës, ndërsa toleroni njerëz me kapuç dhe individë që kërkojnë të nxisin dhunë," deklaroi Lamallari.

Ministri i Brendshëm i kërkoi PD-së që të largojë njerëzit me kapuç përpara se t'i largojë Policia.

"Largoni njerëzit me kapuç përpara se t'i largojë Policia. Policia e Shtetit po bën detyrën e saj konform ligjit për të garantuar mbarëvajtjen e protestës. Nuk keni asnjë të drejtë morale t'i jepni leksione Policisë së Shtetit për mënyrën se si garanton rendin dhe sigurinë," përfundoi ministri Lamallari.