Policia në Ferizaj kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për vjedhje
Policia Rajonale e Ferizajt ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e një personi të dyshuar, në kuadër të veprimeve hetimore për zbardhjen e një rasti penal.
Sipas njoftimit, rasti lidhet me veprën penale “Vjedhje”, e cila dyshohet se ka ndodhur më 17 prill 2026, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në një qendër tregtare në Ferizaj.
“Policia Rajonale e Ferizajt, në kuadër të veprimeve hetimore për zbardhjen e një rasti penal, kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka bërë të ditur se, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është publikuar fotografia e personit të dyshuar që, sipas policisë, dyshohet të jetë i përfshirë në rast.
“Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, publikojmë fotografinë e personit të dyshuar, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në këtë rast”, thuhet më tej.
Nga Policia e Kosovës u bëhet thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin apo lokalizimin e të dyshuarit, t’i përcjellin ato përmes numrit emergjent 192, stacionit më të afërt policor ose aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”.
“Të gjitha informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë”, thekson policia, duke shtuar se bashkëpunimi i qytetarëve është i rëndësishëm për zbardhjen e rastit dhe garantimin e sigurisë publike. /Telegrafi/


