Please enter at least 3 characters.

Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e të dyshuarit për vjedhje në Malishevë

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përkatësisht Stacioni Policor në Malishevë – Sektori i Hetimeve, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, ka bërë thirrje për bashkëpunim me qytetarët në kuadër të zhvillimit të procedurave hetimore.

Sipas Policisë, një person i dyshuar dyshohet se më 8 janar 2026, në një qendër tregtare në Malishevë, ka kryer veprën penale “Vjedhje”. Pavarësisht angazhimeve dhe veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani, identiteti i të dyshuarit ende nuk është arritur të zbulohet.

Me qëllim të rritjes së efikasitetit të hetimeve, Policia e Kosovës fton të gjithë qytetarët që posedojnë informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin ose lokalizimin e personit të dyshuar, i cili shihet në fotografinë dhe video-incizimin e bashkangjitur, të bashkëpunojnë me autoritetet.

Qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës përmes:

  • numrit emergjent 192,
  • stacionit policor më të afërt,
  • ose përmes adresës zyrtare elektronike: info@kosovopolice.com.

Policia e Kosovës ka garantuar se të gjitha informacionet e pranuara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi./Telegrafi/