Please enter at least 3 characters.

Policia e Kosovës ndalon në Malishevë veturën e dyshuar të vjedhur në Gjermani

Një operacion i shpejtë policor në komunën e Malishevës ka rezultuar me ndalimin e një automjeti transportues që po bartte një veturë të dyshuar si e vjedhur në territorin e Gjermanisë.

Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Kosovës, rreth orës 19:05, Stacioni Policor në Malishevë është njoftuar nga pjestarët e Policisë në Mitrovicën e Veriut për një automjet që po transportonte një veturë me targa gjermane, me dyshimin se ishte vjedhur, dhe se mjeti po udhëtonte në drejtim të komunës së Malishevës.

Njësitë kompetente janë aktivizuar menjëherë dhe gjatë zhvillimit të hetimeve kanë pranuar informacion shtesë se vetura e dyshuar ndodhej në fshatin Senik të Malishevës, dhe policia ka ndërhyrë me sukses në këtë lokacion, duke ndaluar automjetin transportues së bashku me veturën e ngarkuar.

Të dy mjetet janë sekuestruar dhe janë dërguar në Stacionin Policor në Malishevë për procedurat e mëtejshme hetimore. Në këtë fazë të hetimeve, janë intervistuar dy persona në cilësinë e dëshmitarëve, ndërsa në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rasti “Pranim i mallrave të vjedhura”, rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka bërë të ditur se do të vazhdojë hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat lidhur me rastin.

Ky reagim i shpejtë dhe i koordinuar i njësive policore është vlerësuar si një dëshmi e qartë e përkushtimit të Policisë së Kosovës në luftimin e krimit dhe ruajtjen e sigurisë publike.