Please enter at least 3 characters.

Policia e Ferizajt nis fushatën vetëdijësuese “Duart në timon, jo në telefon”

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka nisur sot projektin vetëdijësues “Duart në timon, jo në telefon”, një iniciativë e cila do të zbatohet nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në bashkëpunim me stacionet policore të Ferizajt, Kaçanikut, Shtimës, Shtërpcës dhe Hanit të Elezit, si dhe me mbështetjen e OJQ-së “Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt”, përcjell Telegrafi.

Sipas Policisë, fushata është konceptuar nga Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e DRP-Ferizaj, me qëllim që të përcillet një mesazh sensibilizues për të gjithë pjesëmarrësit në trafik:



“Një sekondë në telefon mund të jetë shumë vonë. Duart në timon, e jo në telefon”.

Gjatë fazës parandalues dhe edukative, e cila do të zgjasë deri më 12 tetor 2025, do të zhvillohen aktivitete të ndryshme, përfshirë:

shpërndarjen e fletëpalosjeve informuese;

vendosjen e posterëve në rrugë dhe sheshe publike;

mbajtjen e ligjëratave vetëdijësuese në shkollat e rajonit.

Policia ka bërë të ditur se nga 13 tetori 2025 do të fillojë zbatimi i masave ndëshkuese ndaj të gjithë drejtuesve të automjeteve që nuk respektojnë ligjin e trafikut dhe rrezikojnë sigurinë rrugore.

Kjo iniciativë synon rritjen e ndërgjegjësimit për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të automjetit dhe përmirësimin e sigurisë rrugore në të gjithë rajonin e Ferizajt. /Telegrafi/