Please enter at least 3 characters.

Po vazhdon pastrimi dhe dezinfektimi i kontejnerëve në Prishtinë

Drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri ka njoftuar se pastrimi i hapësirave publike po vazhdon në lagjet e Prishtinës, ku ekipet në terren kanë realizuar ndërhyrje në zonat përreth kontejnerëve.

Sipas njoftimit të drejtorit të Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri gjatë ditës së dytë të aksionit është kryer pastrimi, larja, dezinfektimi, deratizimi dhe dezinsektimi i hapësirave në lagjen Bregu i Diellit, me ndërhyrje edhe në lagjen Ulpianë.

Në këtë aksion, kanë marrë pjesë ekipet në terren së bashku me drejtorin e Shëndetësisë Bujar Gashi.

Retkoceri ka bërë të ditur se aksioni do të vazhdojë në të gjitha lagjet e kryeqytetit, me synim krijimin e hapësirave publike më të pastra, më të sigurta dhe më të shëndetshme për qytetarët.

“Qëllimi ynë është që çdo lagje të ketë kujdesin e nevojshëm dhe standarde më të mira të pastërtisë publike”, ka theksuar ai. /Telegrafi/