Please enter at least 3 characters.

Pesha dhe aroma e kujtimeve

Kopertina e librit të Daut Dautit, "Nëpër gjethe kujtimesh"

Parathënia e veprës së Daut Dautit, Nëpër gjethe kujtimesh

Nga: Agron Shala

“Historinë e shkruajnë fituesit”, ka thënë Winston Churchill. Pas Luftës së Dytë Botërore, Joseph Stalini ishte një diktator komunist që manipulonte me faktet dhe i fabrikonte ato, ndërsa Franklin D. Roosevelt (1882–1945) kishte vdekur. Adolf Hitleri humbi luftën dhe vrau veten, dhe fatmirësisht nuk pati mundësinë ta shkruante historinë. Versioni i historisë i Churchillit, si fitues, mbetet ende sot më i besueshmi për Luftën e Dytë Botërore. Por, siç ndodh rëndom në librat e historisë, emrat dhe ngjarjet që dominojnë përkojnë me njerëzit e fuqishëm. Rrallëkush merret me njeriun e zakonshëm. Për shembull, dihen shumë gjëra për faraonët që urdhëruan ndërtimin e piramidave që mbajnë emrat e tyre, por nuk përmenden projektuesit, e aq më pak ata që bartën barrën e ndërtimit. E njëjta gjë vlen edhe për perandorët romakë apo bizantinë, për sundimtarët evropianë ... Prandaj, është arkeologjia ajo që mbush boshllëqet e historisë dhe na informon për gjërat përtej asaj që zakonisht tregojnë librat. Arkeologjia na mëson si ka funksionuar një shoqëri, cila ishte kultura, më pas arti, ekonomia dhe në përgjithësi mënyra e jetesës së njeriut të zakonshëm. Pa të, shumë periudha të historisë do të mbeteshin të errëta dhe njerëzimi do të njihte vetëm emrat e përveçëm të sundimtarëve dhe të shtresës së lartë.

Në këtë aspekt, e shoh librin e fundit të Daut Dautit si një kujtesë që bën gërmime arkeologjike për shoqërinë shqiptare në dekadat e transformimeve më të mëdha shoqërore të gjysmës së dytë të shekullit XX – një transformim që ka ndryshuar thellësisht pamjen e shoqërisë shqiptare në Kosovë. Sepse, nëse nga koha e Churchillit ekzistojnë dëshmi audiovizuale për jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore në Mbretërinë e Bashkuar, ato dëshmi janë shumë, shumë të pakta për shoqërinë shqiptare në Kosovë. Në fakt, ato pak dëshmi që ekzistojnë për atë që cilësohet si histori e kulturës, përkitazi me shqiptarët, në shumicën e rasteve janë lënë nga të huajt. E, në rastin e Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore – kohë që shënohet nga rezistenca dhe lëvizje të shumta kundër sistemit, por edhe nga një jetë relativisht e mirë për një pakicë me pushtet dhe punë në shtet – gjërat bëhen edhe më konfuze. Kjo sepse ajo që lexohet në librat historikë përkon kryesisht me lëvizjet politike, me protestat apo luftën. Pra, me emra të përveçëm të ndarë sipas bindjeve politike: mes të mirëve apo të këqijve, pro apo kundër regjimit dhe sundimit të huaj.

Ta analizojmë këtë me vetë familjen e Dautit. Fëmijët e tij, sipas përkufizimeve të sotme, i takojnë brezit të milenialëve që lindën në kohën e internetit, që janë të aftë në teknologji dhe që i japin përparësi përvojave dhe përgjegjësisë sociale. Nipi dhe mbesat e tij i takojnë brezit Alfa dhe Beta, që lindën në një epokë të karakterizuar nga rrjetet sociale dhe nga inteligjenca artificiale, nga teknologjia që vazhdimisht avancohet dhe influencerët që përcaktojnë trendët. Këto përkufizime janë të sakta për ata që lindën në shoqëritë perëndimore, siç janë fëmijët, nipi dhe mbesat e tij. Dauti i takon gjeneratës së bejbi-bumerëve, që ndërlidhet me natalitetin e madh në ShBA, optimizmin, përhapjen e kulturës amerikane anembanë globit dhe, mbi të gjitha, me rebelimin. Për disa, ai i takon edhe brezit X, që është një urë lidhëse mes botës analoge dhe digjitale. Por, çfarë kuptimi kanë këto gjëra nëse i analizojmë në kontekstin e Kosovës të viteve ’60 të shekullit XX, kur fillojnë kujtimet e para të Dautit? Çfarë mund të thonë gjeneratat e reja, të cilat pothuajse askund në Kosovë nuk gjejnë gjurmët e asaj se si ishte jeta në të kaluarën? Kur Churchilli shkroi kujtimet e veta, vendi i tij kishte kaluar revolucionin e parë – atë industrial; revolucionin e dytë – të futjes në përdorim të energjisë elektrike, të naftës, linjave prodhuese, makinave dhe aeroplanëve; madje, me zbulimin e makinerive për deshifrim të kodeve sekrete, vendi i tij hapi rrugën për revolucionin e tretë, apo të epokës së kompjuterit. Ndërkaq, Kosova – në vitin kur lindi Dauti, më 1960 – ishte ende në hapat e parë të revolucionit të parë. Dikur, Kosova ishte si një univers paralel ndaj botës perëndimore – ashtu siç është e kaluara e këtij vendi për gjeneratat e reja sot. Por, tani që bota nuk është më vetëm një "fshat global", por një “xhep global”, kur Kosova është në hap me Revolucionin e Katërt – atë të inteligjencës artificiale – kush më mirë se Dauti që ka kaluar nëpër të gjitha këto përkufizime, si një studiues i shquar në botën anglofone dhe një rrëfimtar mjeshtëror, mund ta shpjegojë këtë zhvillim marramendës që ndodhi brenda jetës së tij? Duke lexuar librin e tij, gjithçka tingëllon si një kapërcim galopant shekujsh – nga legjendat mesjetare deri në kohën moderne. Për të rinjtë e sotëm, ky përparim mund të duket si episodi i 132-të i serialit “Star Trek”, Sa hap e mbyll sytë, kur anija kozmike “Voyager” ngërthehet në orbitën kohore të një planeti primitiv, ku një orë në anije përkon me shekuj në planet. Dalëngadalë, nga një objekt adhurimi, kureshtjeje, nevoje për studim, vendorët përparojnë aq shumë sa ta sulmojnë anijen që dikur e adhuronin dhe e perceptonin si mesazh hyjnor. I tillë ishte edhe përparimi i Kosovës si tërësi dhe për shumicën e popullsisë së saj. Dhe, këtë mund ta mësojmë nga Dauti dhe libri i tij i fundit, Nëpër gjethe kujtimesh.

Ky libër, ndonëse me tregime, mund të thuhet se i takon zhanrit bildungsroman i cili, sipas përkufizimit, përqendrohet në rritjen psikologjike dhe morale të protagonistit, si dhe në ndryshimin e tij nga fëmijëria në moshën madhore. Libri është i ndarë në tri pjesë: Fëmijëria, Tregime të mëvonshme dhe Tregime nga Londra. Pra, kemi një kalim nga ëndrrat dhe vëzhgimet naive të fëmijërisë, te rinia kur ai është në kërkim të identitetit dhe të rrugës që do të marrë jeta e tij, e deri te jeta në Londër – si familjar, gazetar dhe studiues.

Tregimet e pjesës së parë fillojnë me fshatin “socialist”, i cili, siç thotë autori, ishte praktikisht feudal. Dhe, e tillë ishte mendësia e shumicës së shoqërisë së Kosovës, meqë popullsia fshatare, në vitet ’60 të shekullit XX, përbënte 85 përqind të popullatës së Kosovës. Koha e kaluar e Dautit gjatë pushimeve në fshat zbërthen arkitekturën, personazhet unike, imagjinatën fëmijërore, traditat, solidaritetin dhe inatet, mentalitetin, burrat e gratë e dikurshme ... dhe një varg konceptesh shoqërore që sot duken të pakuptueshme, por jo në kohën e një shoqërie patriarkale dhe kolektive që nënshtrohej ndaj opinioneve të rrethit. Në fëmijërinë e tij, pa mjete komunikimi, realiteti – po e përsëris, për shumicën – nuk kishte një vijë të qartë ndarëse me mitet. Ai flet për gjarprin e shtëpisë, dhompirat dhe kallakangjat që, siç thotë autori, u zhdukën me valën e parë të shqiptarëve që shkuan për të punuar në Perëndim. Këto lëvizje të popullatës, përveçse sollën progres në vend, ndryshuan edhe perceptimin për jetën. Nëse dëshira fëmijërore e Dautit ishte ta shihte Shkupin – qytetin e ëndrrave të tij – dhe të udhëtonte me autobus (të cilët ndërroheshin në disa ndalesa, dikur, në një rrugëtim që zgjaste mbi pesë orë për shkak të shumë rrugëve të paasfaltuara), ai shpejt e përjetoi “shkurtimin” e distancave si pasojë e përparimit. Ai ka ndryshuar edhe botëkuptimin për “qytetin e ëndrrave”. Por, Dauti zbërthen edhe një realitet tjetër të hidhur të së kaluarës, që e kishte hasur në fëmijëri: varfërinë, dergjjen në mjerim dhe faktin se, në mungesë të parave, njerëzit dikur madje bënin tregti me trambë, si në lashtësi. E, personazhet e tij kudo janë njerëzit më të rëndomtë – ata që e bënin Kosovën dikur. Ai, po ashtu, përshkruan televizorin e parë në familje, ushqimin në qytet e fshat, veturën, filmin, muzikën, shoqërinë, dashurinë për letërsinë dhe figurat kombëtare, por edhe tjetërsimin dhe asimilimin e shumë shqiptarëve, rrethanat në të cilat u zhvilluan demonstratat e vitit 1968 dhe rebelimin e tij që nuk përkonte me kodet e dikurshme morale. Rebelimi ishte pasojë edhe e informimit që përfitonte çdo ditë, për një botë më ndryshe – përtej shablloneve të shoqërisë ku kishte jetuar. Në pjesën e dytë, ai flet për shërbimin e tij ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë, demonstratat e vitit 1981, kushtet e vështira të mërgatës shqiptare në Perëndim dhe ballafaqimin e mentalitetit të tyre konservator me liberalizimin perëndimor. Ndërsa, pjesa e tretë ndërlidhet me jetën e tij në Londër, që nga vitet ’80 të shekullit XX, ku ndër të tjera ishte i angazhuar në afirmimin e kauzës së Kosovës për liri. Dhe, kudo shohim transformime: nga rrëfimet gojore e analfabetizmi, te letra dhe shkrimi me dorë; nga shkrimet me dorë, te makina e shkrimit; nga makina e shkrimit, te kompjuteri ... Nga “shkurtimi” i distancave te “kapërcimi” në kohë!

Në mbi 70 tregime, reale nga jeta e tij, ne pra përjetojmë një udhëtim në kohë dhe, falë mjeshtërisë së tij për të rrëfyer, krijojmë imazhe në mendje. Sepse, jo vetëm ëndrrat apo kujtimet janë imazhe, por edhe reflektimet. Kur, në vitin 1990, fituesi i Nobelit për Letërsi, Gabriel García Márquez, intervistoi regjisorin e madh Akira Kurosawa – që të dy ish-gazetarë – disa pyetje ndërlidheshin pikërisht me këtë temë. Në pyetjen e Márquezit – imagjinata e të cilit prodhonte rrëfime me imazhe – se “Çfarë ju vjen në mendje më parë: ideja apo imazhi?”, Kurosawa, përkitazi me përçimin e imazheve letrare tek ato kinematografike, tha: “Çdo gjë fillon me disa imazhe të shpërndara.”

I përmenda këto gjëra, sepse, pasi vitin e kaluar lexova dorëshkrimin e Dautit, kjo vepër u bë temë e bisedave të mia me miq. Janë tregime që rrallë e hiç i lexojmë në gjuhën shqipe, e aq më pak me sinqeritetin, thjeshtësinë dhe rrjedhshmërinë e Dautit. Po ashtu, vlen të përmendet humori dhe sarkazmi i tij, si dhe aftësia për të zbërthyer në pak fjalë rrethanat aq unike që ai i ka përjetuar. Por, kur mora detyrën për të shkruar një parathënie, e kisha të vështirë të bëja një rezyme të tregimeve, një përmbledhje, sepse nuk është e lehtë që diçka që shijohet të përshkruhet. Me fjalë të tjera, kjo është një vepër që ngjan me përgjigjen e regjisorit Krzysztof Kieślowski ndaj pyetjes se pse nuk i përfundon filmat e vet: përfundimin duhet ta japë shikuesi. Pra, çdo interpretim i shikuesit ishte i pranueshëm për të. Në këtë rast, vepra e Dautit duhet të lexohet dhe secili mund të përjetojë projeksione të ndryshme të imazheve që ajo ofron. Nëse jemi ajo çfarë hamë, apo ajo çfarë shohim apo lexojmë, jemi edhe ajo çfarë reflektojmë.

Këto tregime të Dautit janë dëshmi të një jete që, me një fjalë, mund të përshkruhet si “interesante”! Pra, një jetë pa rrjete sociale, me kontakte të drejtpërdrejta dhe me shumë imagjinatë. "Jetofsh në kohë interesante", është një shprehje angleze që pretendohet të jetë përkthim i një thënieje kineze. Por, cilësohet si mallkim, sepse kohët “interesante” zakonisht janë kohë telashe. Dhe, në rastin e Dautit, kjo është e vërtetë. Por, është edhe një e vërtetë tjetër: fatmirësisht, ai, si shumica, i tejkaloi ato. /Telegrafi/