Përurohet çerdhja e re në fshatin Godanc të Shtimes - investim prej 414 mijë euro
Në fshatin Godanc të komunës së Shtimes është përuruar çerdhja e re publike, një investim i rëndësishëm për edukimin e hershëm dhe përmirësimin e kushteve për fëmijët e kësaj zone.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Çerdhja e re është ndërtuar në një hapësirë prej 756 metrash katrorë, përfshin pesë klasa të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme, si dhe 72 shtretër për të gjitha grupmoshat e fëmijëve. Investimi kap vlerën prej 414 mijë euro dhe u realizua më pak se dy vite pas vënies së gurthemelit, më 20 tetor 2023.
Kurti tha se ky projekt është një dëshmi e qartë e përkushtimit institucional për përmirësimin e jetës së qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe nënave. Ai theksoi se kjo është çerdhja e gjashtë në komunën e Shtimes dhe e pesta që ndërtohet gjatë mandatit të kryetarit Qemajl Aliu.
“Kjo tregon për standardin e lartë dhe punën e madhe që bëhet këtu, edhe në bashkëpunim me qeverinë qendrore. Praktikisht kemi zbatuar programin tonë me vlerat tona – një program social-demokrat që kujdeset për ata me nevoja më të mëdha”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se çerdhja e re përfaqëson një mundësi të re për dhjetëra familje që të ndajnë përgjegjësitë me institucionet, ndërsa fëmijët do të kenë një ambient të sigurt dhe stimulues për të mësuar, socializuar dhe zhvilluar kapacitetet e tyre intelektuale e emocionale.
“Çerdhja është institucioni i parë arsimor ku fëmijët përgatiten për jetën. Ky është investim në themel të shtetit dhe të ardhmes së vendit tonë”, përfundoi Kurti.
Ky projekt konsiderohet si një hap tjetër drejt zgjerimit të infrastrukturës arsimore në nivel lokal dhe rritjes së përfshirjes së fëmijëve në edukimin parashkollor në Kosovë. /Telegrafi/


