Përplasje në KPK, Krasniqi e pyet Blerim Isufajn: Pse i shkove në zyrë Besim Kelmendit dhe i kërkove postin e Kryeprokurorit të Shtetit?
Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Visar Krasniqi, është përplasur në mbledhjen e sotme me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, lidhur me një takim të tij me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Gjatë raportimit të Isufajt para KPK-së, Krasniqi e pyeti atë se përse kishte shkuar në zyrën e Kelmendit më 10 nëntor 2025 dhe nëse gjatë atij takimi kishte kërkuar pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
“Pse i ke shku në zyrë Besim Kelmendit me datën 10 nëntor dhe pse e kërkove këtë pozitë?”, e pyeti Krasniqi.
Isufaj mohoi se kishte kërkuar pozitën dhe tha se takimi me Kelmendin ishte në kuadër të punës zyrtare.
“Kush ma ndalon mu sot, si kryeprokuror i një prokurorie të takohem me Kryeprokurorin e Shtetit?”, tha Isufaj, duke shtuar se nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme në takimin mes tyre.
Krasniqi këmbënguli se pyetjet e tij bazoheshin në dokumente zyrtare dhe deklarime publike, duke pretenduar se ato flisnin për një përfshirje të Isufajt në zhvillimet dhe vendimmarrjen e KPK-së gjatë vitit 2025.
“Unë gjithmonë po i referohem dokumenteve zyrtare”, tha Krasniqi.
Ai e pyeti Isufajn edhe për përfshirjen e tij të pretenduar në proceset e Këshillit gjatë reformës së vitit të kaluar.
Në pjesën tjetër të debatit, Krasniqi ngriti pyetje edhe për efikasitetin e Prokurorisë Speciale dhe rezultatet e saj në rastet e profilit të lartë.
Ai tha se kishte përshtypjen se Prokuroria Speciale mund të kishte rezultate të dobëta sa i përket përfundimit të rasteve me aktgjykime dënuese.
Kjo deklaratë u kundërshtua nga Isufaj, i cili e cilësoi si paragjykuese.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka bërë një punë të jashtëzakonshme këto vite, që s’e ka bërë kurrë më parë”, deklaroi Isufaj.
Ai përmendi rastet e zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion, duke thënë se disa ish-ministra dhe ministra në detyrë janë përballur me aktakuza, ndërsa disa prej tyre, sipas tij janë dënuar në shkallën e parë.
Debati mes Krasniqit dhe Isufajt u zhvillua gjatë mbledhjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës. /Telegrafi/


