Përfshirja e Kosovës në Bordin e Paqes, takimi me Trump dhe fuqizimi i shtetit – pikat kryesore nga intervista me presidenten Osmani
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë ekskluzive për “Përballje Podcast” në Telegrafi.com ka folur për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes të themeluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, cilat janë obligimet, përgjegjësitë dhe përfitimet që mund t'i ketë.
E para e shtetit në këtë podcast ka folur po ashtu për takimin e saj me Presidentin Donald Trump, raportet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe mundësitë për një diplomaci të re, përfshirë edhe angazhimin me shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Osmani ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes si një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit në vitet e fundit, duke theksuar se ky hap e fuqizon drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Presidentja ka bërë të ditur se ka pasur disa diskutime me Trump që nga zgjedhja e tij, të fokusuara kryesisht në çështjet e sigurisë dhe stabilitetit rajonal, duke theksuar rëndësinë e rolit amerikan në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës.
Në një intervistë për “Përballje Podcast”, Osmani tha se ka pasur disa diskutime me Trump që nga zgjedhja e tij, të fokusuara kryesisht në çështjet e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
“Kam pasur disa diskutime me Presidentin Trump nga momenti i zgjedhjes së tij. Një nga takimet kryesore është zhvilluar në Paris, në Pallatin Elize. Diskutimet kanë qenë të fokusuara në situatën e sigurisë dhe në nevojën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vazhdojnë të kenë rol lidershipi në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në rajonin tonë si dhe biseda në kuadër të takimeve në Kombet e Bashkuara ku kemi pasur një diskutim përmbajtjesor rreth rolit të Presidentit Trump për paqen, në vendin tonë, por edhe më gjerë, sepse rajoni ynë është i rëndësishëm për administratën amerikane”, tha Presidentja.
Osmani theksoi se roli i Shteteve të Bashkuara në Kosovë mbetet thelbësor dhe i pazëvendësueshëm, si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
“Roli i Amerikës në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, në mbrojtjen e kufijve tanë së bashku me institucionet tona të sigurisë dhe në shtyrjen përpara të Kosovës me sovranitet të plotë dhe integritet territorial të plotë, është rol i pazëvendësueshëm,” theksoi ajo.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se përzgjedhja e Kosovës si shtet bashkëthemelues në “Bordin e Paqes”, një organizatë kjo e rëndësishme ndërkombëtare e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vlerësuar jashtëzakonisht pozitivisht nga liderë të shumtë botërorë dhe ka dhënë një mesazh të fuqishëm për shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Osmani theksoi gjithashtu rëndësinë simbolike dhe politike të përzgjedhjes së Kosovës si një nga 20 shtetet themeluese, krahas vendeve me popullsi dhe ekonomi shumë të mëdha.
“Ju i keni parë shumë nga shtetet që ishin aty janë shtete jashtëzakonisht të mëdha, shtete me treqind milionë banorë, shtete me dyqind milionë banorë, shtete me ekonomi të jashtëzakonshme disa prej tyre dhe Kosova të përzgjedhjet ndër njëzet shtete themeluese, kjo tregon vlerësim të jashtëzakonshëm nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi presidentja në “Përballje Podcast”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se marrëveshja e nënshkruar në Davos për anëtarësimin e Kosovës në “Bordin e Paqes” do të procedohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, menjëherë pas konstituimit të tij, duke theksuar se asnjë obligim nuk do të merret pa miratimin e Kuvendit dhe se nuk është kërkuar asnjë kontribut financiar i detyrueshëm nga Kosova.
Osmani tha se rreshtimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i padiskutueshëm dhe se Kosova nuk ka asnjë hezitim politik ndaj kësaj nisme, duke kujtuar rolin vendimtar të SHBA-ve në lirinë dhe shtet-ndërtimin e Kosovës. /Telegrafi/


