Please enter at least 3 characters.

Për jetë a vdekje

2016/01/p-euml-r-jet-euml-a-vdekje_hd.jpg

Kjo pasi ato do ta kuptojnë të ardhmen e tyre, pas dy ndeshjeve të barazhit që do t’i zhvillojnë mes veti në “Riza Lushta” të Mitrovicës.

Drita e Vëllaznimi garën e rregullt kampionale e përfunduan duke u pozicionuar në pozitat 9 e 10 të Superligës, duke mos mundur ta sigurojnë mbijetesën. Kurse, Gjilani e Flamurtari përfunduan në pozitat 3 e 4 të Ligës së Parë, pasi dështuan të inkuadrohen direkt në elitë.

Kështu, të enjten Drita do të mundohet ta mbrojë statusin e anëtarit të Superligës në luftë me Flamurtarin e Ligës së Parë, kurse Gjilani do ta kërkojë inkuadrimin në elitë, në tentim për ta rrëzuar Vëllaznimin.

Takimi i parë mes gjilanasve e prishtinasve zhvillohet prej orës 13:30, kurse ai ndërmjet gjakovarëve e Gjilanit nis në orën 16:00. Tifozët e katër skuadrave kanë paralajmëruar se do të udhëtojnë drejt stadiumit “Riza Lushta”, për t’iu dhënë zemër futbollistëve të ekipeve të tyre.

Ndërkohë, këto katër ekipe pritet të luftojnë rreptësisht në fushën e blertë, pasi secila prej tyre e dëshiron Superligën. Mësohet se kryesitë e klubeve tashmë u kanë premtuar edhe premi futbollistëve të tyre, me qëllim që ata ta kenë edhe një motiv shtesë për fitore.

Në ndeshjen ndërmjet Vëllaznimit e Gjilanit favorit thuajse nuk ka. Gjëja e vetme që e favorizon për një nuancë ekipin kuqezi është të qenit anëtarë të deritanishëm të Superligës. Por, Gjilani nuk dallon shumë prej disa ekipeve tjera elitare, gjë që e konfirmon fakti se kjo është hera e dytë rresht që përmes barazhit e tenton elitën. Gjilanasit vjet në barazh kishin humbur nga Feronikeli.

Në anën tjetër, Drita konsiderohet favorite diç më e madhe karshi Flamurtarit, i cili ka pas fillim shumë të mirë në Ligën e Parë, por pastaj filloi ta ngadalësoi hapin, duke përfunduar në barazh. Kuqezinjtë kanë luajtur thuajse gjatë gjithë kampionatit pa para, vullnetarisht, pasi kriza financiare është prezent në klubin kuq e zi. Por, drejtuesit e tij merret vesh se tashmë i kanë siguruar afro 20 mijë euro, të cilat do t’ua shpërndajnë lojtarëve, nëse arrijnë ta fitojnë barazhin dhe statusin e anëtarit të Superligës.

Katër palët janë përplot optimizëm, por edhe të kapluar nga ethet. “Pavarësisht se ndaj kujt luan, ndeshjet e barazhit asnjëherë nuk janë të lehta për t’u kaluar me sukses. Mirëpo, konsideroj se kemi ekip më cilësor sesa Flamurtari. Madje, realisht nuk e kemi merituar barazhin, por ky është futbolli”, thotë portieri i njohur i Dritës, Artan Latifi.

Edhe gjakovarët janë optimistë se do të mbijetojnë. “Besoj se krejt mundi, sakrifica do të na shpaguhet të enjten”, tha kapiteni i kuqezinjve, Robert Gjeraj. Por, gjilanasit e kuqezinjtë nga Prishtina thanë se do ta japin atomin e fundit për t’u kthyer në elitë, e cila u mungon qe disa vite, por edhe i mungojnë, pasi kanë traditë.

Barazhi për Superligë

E enjte

Drita – Flamurtari 13:30

Vëllaznimi – Gjilani 16:30