Please enter at least 3 characters.

"Për çka ju kemi zgjedhë?", "Deputet veç në letër", "Mos na keqpërdorni votën", "Loja juaj, pasoja tona" shoqëria civile aksion para Kuvendit

"Për çka ju kemi zgjedhë?", "Deputet veç në letër", "Mos na keqpërdorni votë", janë disa nga pankartat që po mbahen nga përfaqësuesit e shoqërisë civile gjatë aksionit para Kuvendit të Kosovës.

Gjatë aksionit, ata kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për mos krijimin e institucioneve të reja, transmeton Telegrafi.

Deputetët e Kuvendit do të mblidhen sërish sot, duke filluar nga ora 11:00, në një tjetër përpjekje për ta konstituar legjislaturën e re.

Që nga 15 prilli, Kuvendi ka dështuar plot 44 herë radhazi në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, raporton Telegrafi.

Procesi i konstituimit ka mbetur i bllokuar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por kjo kandidaturë nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e tjera parlamentare.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka propozuar që votimi për kryetaren të zhvillohet në mënyrë të fshehtë, por ky propozim nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvend.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.