Please enter at least 3 characters.

Pejë, goditet rrjeti i dyshuar i narkotikëve përmes dërgesave postare

Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Njësitin për Luftimin e Narkotikëve në kuadër të Policisë së Kosovës, ka realizuar një aksion gjatë të cilit janë sekuestruar substanca të ndryshme narkotike të dyshuara se kanë ardhur nga shtete të huaja përmes shërbimeve postare.

Sipas njoftimit zyrtar, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë sekuestruar 60 copë LSD, 10 copë Acetamil, 2 gramë Crystal Meth dhe 25 copë ekstazi.

Lidhur me rastin, është arrestuar një person i dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afateve ligjore pritet të ndërmerren veprime të mëtejme hetimore ndaj tij.

Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që lidhen me narkotikët, mbrojtjen e shëndetit publik, veçanërisht të të rinjve, si dhe në identifikimin dhe ndjekjen e personave të përfshirë në aktivitete të kundërligjshme. /Telegrafi/