“PDK-ja nuk ekziston politikisht” – Molliqaj pyet: Ku është Abdixhiku që dy ditë?
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka hedhur kritika të forta ndaj opozitës parlamentare, duke vënë në pikëpyetje rolin e saj në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Në “Përballje Podcast”, ai ngriti dyshime për mungesën e veprimit nga liderët opozitarë, duke përmendur edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Nëse për një muaj s’janë marrë vesh… tash po e dinë që po shkojmë në zgjedhje… ku është Lumir Abdixhiku që dy ditë?”, u shpreh Molliqaj shkruan Telegrafi.
Molliqaj ishte kritik edhe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, për të cilën tha se nuk luan më rol real në skenën politike.
Sipas tij, kjo parti nuk ka më peshë politike dhe nuk përfiton nga zhvillimet aktuale në skenën politike.
“PDK-ja është jashtë loje… PDK-ja nuk ekziston. Edhe me fitu Vjosa e me ra Albini nuk rritet PDK-ja, por PDK-ja edhe zvogëlohet", tha Molliqaj shkruan Telegrafi.
Ai shtoi se PDK-ja sot ekziston më shumë si një trashëgimi e së kaluarës sesa si një forcë aktive politike.
“Në kuptimin ideor e politik sot PDK-ja është trashëgimi… mbahet për shkak të dy njerëzve që janë në Hagë. Ditën kur ata njerëz lirohen, PDK-ja ose do të riformohet ose do të dekompozohet… aty janë më shumë se dhjetë grupe”, u shpreh ai.
Molliqaj paralajmëroi se e ardhmja e kësaj partie do të varet nga zhvillimet që lidhen me figurat kryesore të saj./Telegrafi./


