Please enter at least 3 characters.

Patriarku Irinej dhe historia e “harruar”

Patriku Irinej me gjasë “kishte harruar” pjesën më të madhe të historisë në këtë pjesë të Ballkanit, sepse ai përmendi vetëm serbët. Në mesazhin e paqes, atij “nuk iu kujtua” të përmendë më shumë se një shekull terror që ka ushtruar shteti i tij mbi popullin shqiptar të Kosovës...

Patriku i kishës serbe, Irinej, gjatë shugurimit, të dielën në Pejë, tregoi se hiç nuk është më ndryshe se paraardhësit e tij. Në vend se t’i kërkojë falje popullit shqiptar për krimet shekullore që ka bërë shteti serb mbi ta dhe në këtë mënyrë t’ua hap rrugën edhe liderëve politikë serbë ta bëjnë një gjë të tillë, ai na e ritregoi atë rrëfimin nacionalist që tashmë e kemi mësuar përmendësh, duke na dhënë sinjalin se as ky s’e ka ndërmend të ndryshojë gjë. Para shumë qytetarëve e medieve, në zemër të Kosovës, ai, përmendi se Kosova (pa e harruar këtu si zakonisht edhe Metohinë) është pjesë e Serbisë dhe se është e padrejtë që ky vend “shpirtëror” t’i merret Serbisë.

Irinej e tejkaloi misionin e tij si njeri i Zotit dhe në vend që të japë mesazhe paqeje, tolerance, dashurie hyjnore e mirëkuptimi, iu kthye së kaluarës së hidhur, e cila pa dyshim se s’do të harrohet nga askush. Ai tha se “në këtë vend të shenjtë, janë djegur, rrënuar e vjedhur shumë kisha, manastire dhe shumë shtëpi të popullit serb”, për të vazhduar se “është lënë një shenjë e pashlyer në ekzistencën e popullit serb në Kosovë dhe Metohi”. Aq më tepër, ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që “të mos gabojë me vendimet e marra” për statusin e Kosovës. Bile te këto “vendimet e marra” nuk e patëm të qartë nëse e ka fjalën për vendimet që do të merr bashkësia ndërkombëtare, apo për vendime të “marrëzishme”, që tashmë i ka marrë (duke pasur parasysh se në shqip fjala “të marra” mund të merren në dy kuptime të ndryshme). Kështu, patriku serb, që në fillim doli nga misioni i tij i shenjtë. Duke u mbështetur nën hijen e njeriut të Zotit, udhërrëfyesit të fjalëve të Tij, ai tërë kohën e çoi në politikë dhe atë qëllim keqe e nacionaliste.

Krejt në fund, vetëm sa për ta shpërlarë gojën, patriku serb bëri thirrje edhe për paqe, siç tha ai, “në Kosovë e Metohi”. Por, pasi që tha shumëçka, Patriku Irinej, “harroi” edhe diçka pa thënë. Patriku i kishës serbe nuk e dinte, apo me gjasë “kishte harruar” pjesën më të madhe të historisë në këtë pjesë të Ballkanit, sepse ai përmendi vetëm serbët. Në mesazhin e paqes, atij “nuk iu kujtua” të përmendë më shumë se një shekull terror që ka ushtruar shteti i tij mbi popullin shqiptar të Kosovës. Patriku Irinej nuk e përmendi luftën e fundit në Kosovë, viktimat e pafajshme që ka vrarë shteti i tij dhe qindra objektet fetare që ka djegur dhe atë në mënyrë të organizuar. Ai, të dielën, në ditën e shugurimit të tij, kishte “harruar” të përmendë dhjetëra mijëra viktima, civilë të pafajshëm shqiptarë, të vrarë, prerë, masakruar e djegur, disa edhe për së gjalli nga vetë dora e shtetit serb. Patrikut Irinej, nuk iu kujtua të përmendë qindra fëmijë të djegur nëpër furra, e të vrarë ende pa lindur në barkun e nënave të tyre, vetëm pse do të lindnin shqiptarë. Ai “harroi” të përmendë 1 milion shqiptarët e përzënë me dhunë nga shtëpitë e tyre.

“Harroi” të përmendë edhe qindra mijëra shtëpi të shqiptarëve të djegura, e të vjedhura bashkë me pasurinë stërgjyshore të tyre, nga shteti i tij. Ai nuk i përmendi as mijëra shqiptarë të zhdukur, tashmë 11-vjet pas luftës, eshtrat e të cilëve ende nuk kanë mundur t’i gjejnë familjarët e tyre, përderisa ai dhe shteti i tij mund ta dinë saktësisht fatin e tyre. Ai, po ashtu nuk i përmendni as mijëra kosovare të përdhunuar nga vetë shteti serb. Irinej, “harroi”, e “harroi” shumëçka. Por nëse Patriku Irinej, e “harron” më shumë se një shekull ngjarjesh dhe flet vetëm për njërën anë të medaljes, ka njerëz që s’i kanë harruar asnjëherë dhe që nuk do t’i harrojnë kurrë. Nëse ndokund është lënë ndonjë shenjë/plagë e pashlyeshme për ekzistencën e popujve, atëherë një plagë të tillë, bile më të madhen në Evropën e “civilizuar” e ka shpirti i popullit shqiptar. Të gjithë e dimë thënien e vjetër latine “Istoria est magjistra vita” (Historia është mësuese e jetës). Krejt në fund, si Patriku Irinej, ashtu edhe liderët tjerë fetarë duhet të japin mesazhe paqeje, tolerance e mirëkuptimi. Vetëm kështu shkohet përpara, përndryshe shumëkush e ka nga një plagë në shpirt, të pashërueshme.