Please enter at least 3 characters.

Pas takimit me banorët, Komuna e Dragashit tërhiqet nga plani për shkritoren e xeheve në Shajne

Banorët e fshatit Shajne në Dragash kanë njoftuar se kanë zhvilluar një takim me drejtuesit e organeve komunale dhe se nga ta kanë marrë zotimin se shqyrtimi i kërkesës për shprehje të interesit për marrje në shfrytëzim të tokës për ndërtimin e fabrikës për shkrirjen dhe përpunimin e xeheve do të largohet nga rendi i ditës i  seancës së Kuvendit të Komunës, të caktuar për datën 8 prill 2025.

Sipas njoftimit të publikuar në rrjetet sociale thuhet se nga zyrtarët e lartë komunalë është marrë edhe zotimi se kjo kërkesë nuk do të procedohet më tutje, raporton Telegrafi.

Fillimisht aty është sqaruar se mbledhja në fshatin Shajne është zhvilluar të dielën me pjesëmarrjen e mbi 100 banorëve, ndërkohë që të pranishëm kanë qenë edhe kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini dhe kryesuesja e KK-së, Arijeta Skeraj.

“Pika e I-rë e rendit të ditës ishte kundërshtimi i dhënies në shfrytëzim të tokës së fshatit tonë për ndërtimin e shkritores së xeheve, iniciativë kjo e planifikuar të shqyrtohet në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Dragashit më 8 prill 2025. Në këtë mbledhje ishin të pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini dhe Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Arijeta Skeraj, të cilët pasi dëgjuan banorët, na njoftuan zyrtarisht se pika 7 e rendit të ditës në Kuvend, që kishte të bënte me ndërtimin e fabrikës – shkritores për shkrirjen e metaleve të rënda, do të largohet nga rendi i ditës, dhe nuk do të procedohet më tutje”, thuhet në njoftimin e fshatit Shajne.

Ky veprim, sipas njoftimit, është mirëpritur nga banorët si një hap pozitiv drejt ruajtjes së tokës dhe mjedisit në këtë fshat, raporton Telegrafi.

“Falënderojmë të gjithë banorët që morën pjesë, ngritën zërin në mënyrë paqësore dhe të qytetëruar duke i dëgjuar zyrtarët e lartcekur dhe treguan se kur jemi të bashkuar, nuk lejojmë askënd të vendosë për të ardhmen tonë”, thuhet në njoftim, duke shtuar se në mbledhje kanë marrë pjesë edhe disa qytetarë të Dragashit, të cilët po ashtu kanë kundërshtuar ndërtimin e fabrikës në këtë lokalitet.

Në këtë mbledhje, sipas njoftimit, në kuadër të pikës së dytë të rendit të ditës është zgjedhur edhe kryesia e re e fshatit.

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini ditë më parë pati shprehur qëndrimin se nuk do të merren vendime për investime që dëmtojnë shëndetin e qytetarëve dhe që ndotin mjedisin./Telegrafi/