Panucci mendon të ndryshojë stilin e lojës te Shqipëria: Mund të dalim të dytët
Sot nis java e Kombëtares, që do të grumbullohet në kuadër të dy ndeshjeve të para eliminatore të Euro 2020, përballë Turqisë në “Loro Boriçi”, më datën 22 dhe tre ditë më pas ndaj Andorrës në transfertë.
Trajneri Christian Panucci doli sot në një konferencë për shtyp në ambientet e FSHF-së, ku shpjegoi zgjedhjet e tij, mënyrën e lojës së kuqezinjve, por edhe pritshmëritë që ka nga ky edicion eliminarotesh.
Tekniku italian ka folur thuajse për të gjithë lojtarët e grumbulluar, por edhe për të tjerët që nuk i dërgoi ftesa.
Jeni i kënaqur me grupin e lojtarëve? Janë rikuperuar aq sa të jeni i qetë? Jam i kënaqur me 23 lojtarët që kam, por varet edhe nga forma. Kemi thirrur edhe Cikalleshin, por ishte i dëmtuar. Ndoji dhe Binaku gjithashtu janë të dëmtuar, por rikuperuam Abrashin dhe Ajetin. Grezda ka luajtur dje, por të shohim në çfarë forme vjen, ndërsa Qosen e kam ndjekur gjatë gjithë dimrit.
A do të nisemi nga ndeshja e fundit e Uellsit, për të përballuar këto eliminatore? Po, besoj se po. Nuk do të thotë që do të mbrohemi, por të tërhiqemi disi, për të krijuar hapësirën e duhur për t’u nisur në sulm. Vura re se sa më shumë skuadra të hapet, na krijohen vështirësi. Kemi problem kur mundohemi të bëjmë futboll total.
Keni preferuar të merrni lojtarët që kanë minuta, apo ata që u përshtaten ideve të tua? Nga pak që të gjitha. Ky grup që është këtë herë, thuajse luajnë të gjithë. Problemi është se kaq lojtarë kemi dhe këto janë zgjedhjet. Grezda për shembull është një lojtar i rëndësishëm për ne, ndonëse nuk mund të luajë 90 minuta, sepse ka luajtur pak edhe në Skoci. Nuk ka 90 minuta në këmbë, por të shohim. Kaçe ka luajtur rregullisht këto kohë, ndaj edhe është thirrur. Kanë shumë rëndësi minutat, për t’u thirrur në kombëtare dhe ky grup ka luajtur mjaftueshëm.
Cilat janë pritshmëritë në këtë edicion eliminator? Duhet t’i marrim takimet me radhë dhe të shohim ndeshje pas ndeshje. Nuk mund të dalim jashtë realitetit, sepse jemi në vazon 4. Nëse bëjmë mirë, dalim të tretët, por nëse bëjmë diçka speciale, dalim të dytët. Nëse jo, unë iki. Duhet të jeni të qetë dhe të përulur, pasi 2016-a i ka bërë keq dikujt.
Pse mungon Ermir Lenjani? Sepse është Binjaku dhe Aliji. Është çështje teknike, por Lenjani është pjesë e jona dhe mund të jetë në ndeshjet e ardhshme.
Po Taulant Seferin e keni ndjekur? Po e ndjekim dhe ai është pjesë e jona. Për këtë grumbullim kisha nevojë për më shumë eksperiencë.
Në listë keni vetëm 3 lojtarë anësorë në sulm. Pse kaq pak zgjedhje? Mund të luajmë edhe pa sulmues. Në krah, kemi Balliun që mund të luajë në sulm, por edhe Grezdën e Uzunin, që luajnë në të dy krahët, prandaj kam marrë vetëm kaq lojtarë.


