Please enter at least 3 characters.

Pacolli kërkon lirimin e menjëhershëm të kosovarit që u arrestua nga policia serbe

2020/01/pacolli-mehmetaj.jpg

Ministri i Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas arrestimit  të shtetasit kosovar, Nezir Mehmetajt, nga policia serbe, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm.

Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se zyra e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit.

Postimi i plotë i Pacollit:"Ne e dënojmë arrestimin e shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj nga policia serbe dhe bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij.Zyra jonë e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit.Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe menjëherë të ndalojë me përndjekjet politike.

Kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit dhe Brukseli, nga ana tjetër, duhet të marrë masa urgjente për të parandaluar veprimet e Beogradit kundër qytetareve të Kosovës dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve", ka shkruar Pacolli.

Nezir Mehmetaj nga fshati Rudicë e Klinës, të premten është ndaluar nga Policia serbe në pikën kufitare Merdare.

Neziri jeton që 25 vite në Zvicër, dhe kishte qenë për pushime në Kosovë, por për shkak që nëna e tij ishte e sëmurë, ai kishte shkuar në Beograd, për t’ia bërë analizat.

Teksa po kthehej në Kosovë, ishte ndaluar në kufi nga doganierët serbë, duke i thënë se gjendet në ‘Stop listë’. /Telegrafi/