Please enter at least 3 characters.

"Pa gazetarë s’kam ku shkoj" - nëna e viktimës e revoltuar nga përjashtimi i mediave nga seanca gjyqësore për aksidentin me fatalitet në Shtupel të Klinës

Të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë- dega në Klinë është mbajtur seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Eraj Temaj për aksidentin që kishte ndodhur në maj të 2022 ku për pasojë kishte vdekur 23 vjeçari J.T.

Gjatë seancës gjyqtarja e rastit Sabirje Rracaj nxori aktvendim për përjashtimin e gazetarëve nga seanca, e kjo ndodhi pas kërkesës së avokatit Flamur Kelmendi, i cili përfaqëson të akuzuarin.

Por ky veprim nuk i pëlqeu nënës së viktimës, Kumrije Temaj.

Ajo në një video të publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, shihet teksa kërkon që gazetarët të qëndrojnë në sallë.

“Unë si nanë e vetmuar pa gazetarë s’kam ku shkoj se po mundohen rastin me mshef”, tha nëna e viktimës.

Temaj madje tha se nuk pranon të qëndroj në seancë pa gazetarë, e përgjigja e gjyqtares Rraci ishte e ashpër.

“Mos pranofsh mundesh me dal, ne edhe në mungesë tënde e mbajmë seancën. Të lutem mos na krijo shqetësime si gjithmonë”, dëgjohet gjyqtarja Rraci.

“Unë po du drejtësinë e djalit tim. Mem dalë skeni mem dal prej dere”, dëgjohet teksa flet nëna e viktimës.

Pak minuta pasi gazetarët lëshuan sallën, në shenjë proteste edhe Kumrije Temaj doli nga seanca për të dhënë prononcim për media.

“Më 27 maj ka ndodhur rasti, tri javë ditë e kam pasur në komë, më 16 qershor djali më ka ndërruar jetë. Djali në lule të rinisë, 22-vjeçar, e kam pasur në komë pa vetëdije, me dy oksigjena në hundë një në gojë, me aparat, 27 kamca në kokë”, deklaroi e dëmtuara.

Ajo tha se kërkon drejtësi për djalin e saj. /Telegrafi/