OKB: AI po rrit ndjeshëm konsumin global të energjisë dhe ujit
Përhapja e shpejtë e Al po ushtron presion në rritje mbi burimet globale të energjisë elektrike, ujit dhe tokës, me qendrat e të dhënave që furnizojnë me energji teknologjinë që parashikohet të konsumojnë 945 teravatë-orë energji elektrike deri në vitin 2030, paralajmëroi një raport i Universitetit të OKB-së.
Raporti nga Instituti i Universitetit të OKB-së për Ujin, Mjedisin dhe Shëndetin tha se ndikimi mjedisor i Al po "matet sistematikisht në mënyrë të gabuar", sepse shumica e vlerësimeve përqendrohen kryesisht në emetimet e karbonit, duke anashkaluar gjurmët e saj në ujë dhe tokë.
Deri në vitin 2030, gjurma e ujit e qendrave të të dhënave të lidhura me Al mund të arrijë 9.3 trilionë litra, e barabartë me nevojat bazë vjetore të ujit të 1.3 miliardë njerëzve në Afrikën Sub-Sahariane ndërsa gjurma e tyre tokësore mund të kalojë 14.500 kilometra katrorë, afërsisht dyfishi i madhësisë së zonës metropolitane të Xhakartës.
"Ky raport nuk është një rast kundër Al", tha Kaveh Madani, drejtor i UNU-INWEH, duke bërë thirrje në vend të kësaj për përdorim të përgjegjshëm të A dhe veprime proaktive për të adresuar ndikimet e saj të padëshiruara.
Raporti thekson se qendrat globale të të dhënave konsumuan rreth 448 TWh energji elektrike në vitin 2025.
Nëse konsiderohen si një vend, ato do të renditeshin si konsumatori i 11-të më i madh i energjisë elektrike në botë.
Debati publik është përqendruar shumë në energjinë e nevojshme për të trajnuar modele të mëdha të Al.
Vetëm ChatGPT vlerësohet të përpunojë rreth 2.5 miliardë kërkesa në ditë (prompte), duke kërkuar afërsisht 383 gigavat-orë (GWh) energji elektrike në vit, sipas raportit.
Gjurma mjedisore ndryshon ndjeshëm në varësi të detyrës, me një imazh tipik të gjeneruar që kërkon rreth 1.450 herë më shumë energji sesa klasifikimi bazë i tekstit, ndërsa një video e shkurtër e gjeneruar mund të konsumojë aq energji elektrike sa 200 mijë klasifikime të mezazheve të padëshiruara (spam).
Raporti bëri thirrje për një ekosistem të përgjegjshëm të bazuar në transparencë, efikasitet, drejtësi mjedisore, përgjegjësi për ciklin jetësor, bashkëpunim global dhe përdorim të qëndrueshëm. /AA/


