Oferta e Barcelonës për rinovim kontrate ende nuk i është dërguar Messit
Prania ose mungesa e Lionel Messit do të shkojë shumë larg për të përcaktuar se çfarë mund të bëjë Barcelona në sezonin 2021/22. Por, ditë dhe javë vazhdojnë të kalojnë pa i dërguar klubi një ofertë rinovimi kapitenit të tyre.
Bisedat janë bërë, por ylli argjentinas ende nuk ka marrë asnjë ofertë që ai mund të shikojë dhe të vendosë. E gjithë kjo në vetëm 21 ditë kohë para se Messi të bëhet një lojtar i lirë me kontratën e tij aktuale që skadon në fund të muajit.
Joan Laporta është i qartë në lidhje me ofertën që ai dëshiron t'i bëjë Messit, dhe ai ka qenë për javë të tëra i vendosur.
Ai dëshiron të ofrojë një rinovim dy-vjeçar me një pagë bruto 50 milionë euro në vit, e cila është rreth gjysma e pagës së tij aktuale. Pastaj, do të kishte një ofertë 10-vjeçare që Messi të merrte një rol ambasadori për klubin, i cili do ta shihte atë të fitonte dhjetë milionë euro.
Presidenti i ka shpjeguar disa prej këtyre kushteve babait dhe agjentit të Messit, Jorge, por asgjë nuk është vendosur në letër.
Me tre javë të mbetura, kontrata e Messit nuk është më afër nënshkrimit.
Përveç anës ekonomike të ofertës, Messi dëshiron që Barcelona të ndërtojë një skuadër që mund të konkurrojë dhe të fitojë La Ligan dhe Ligën e Kampionëve. Deri tani, kjo nuk ka ndodhur.
Katalunasit kanë nënshkruar me Sergio Agueron, Eric Garcian dhe Emerson Royal, ndërsa Memphis Depay pritet të jetë transferimi i radhës. Sidoqoftë duhet të thuhet se Georginio Ëijnaldum ishte gjithashtu pjesë e planeve, por dështoi.
/Telegrafi/


