Please enter at least 3 characters.

"Objektivi" i mbetur në lojë: Ta mposhtim çdo kundërshtar të grupit – të paktën një herë, pastaj të ngjitemi në renditjen e FIFA-s

Kosova tashmë e ka siguruar një biletë të artë për play-off dhe kjo nuk duhet harruar asnjë moment, por objektivi i vetëm i mbetur në lojë është ta mposhtim çdo kundërshtar të grupit të paktën një herë.

Përballja e radhës ndaj Zvicrës, edhe pse vjen në një moment kur shanset për kualifikim direkt janë minimale, mbetet një sfidë ku fitorja është domosdoshmëri për krenari, moral dhe identitet. Dardanët janë përballur me Helvetët katër herë deri tani, ku kanë regjistruar tre barazime dhe një humbje.

Ajo humbje 4-0 në Bernë ishte e dhimbshme dhe e vështirë për t’u pranuar, por pikërisht nga ai moment Kosova ka treguar një ringritje të fortë me tri fitore dhe një barazim në ndeshjet e fundit.

Të gjithë kundërshtarët e tjerë të grupit i kemi mposhtur të paktën një herë, përveç Zvicrës, ndaj kjo ndeshje është kapitulli i munguar që Kosova dëshiron ta mbyllë më në fund.

Fitorja 6-0 që do t’i duhej Kosovës është ëndërr e largët, por triumfi me çfarëdo rezultati do të ishte sukses i madh sportiv, rritje e besimit dhe një mesazh i qartë se ky ekip vetëm po ecën përpara.

Formën e mirë Kosova e ka dëshmuar me dy fitoret fantastike ndaj Suedisë, fillimisht 2-0 në Prishtinë në një mbrëmje të zjarrtë, e më pas 0-1 si mysafir në Stokholm, një fitore e pastër, taktike dhe e pjekur.

Po ashtu, triumfi 0-2 ndaj Sllovenisë si mysafir ka qenë një tjetër dëshmi e gatishmërisë dhe nivelit të lartë të lojës, ndërsa barazimi pa gola në Prishtinë kundër të njëjtit kundërshtar tregoi stabilitet dhe organizim të fortë defensiv.

Këto rezultate kanë ngritur moralin e skuadrës dhe kanë dëshmuar se Kosova ka bërë progres të prekshëm, duke u rritur si ekip dhe duke u bërë shumë më konkurruese në çdo stadium ku luan.

Tani vjen sfida që mbetet më e veçanta dhe më e vështira: Zvicra, i vetmi kundërshtar që nuk e kemi mposhtur.

Me play-offin të siguruar, me besimin e fituar ndeshje pas ndeshjeje dhe me mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozëve në “Fadil Vokrri”, Kosova do të hyjë në këtë duel jo si viktimë, por si ekip i pjekur, i motivuar dhe i gatshëm për të mbyllur një kapitull historik.

Fitorja mund të duket e vështirë, por jo e pamundur – dhe në futboll ka momente kur nuk luan vetëm për pikë, por për historinë tënde, për krenarinë dhe për të treguar se kurrë nuk dorëzohesh. Në këtë ndeshje Kosova do të kërkojë pikërisht këtë: të shkruajë një faqe të re, të merituar dhe të shumëpritur në rrugëtimin e saj drejt majave të futbollit evropian. /Telegrafi/