Obama në New Jersey, përgëzohet nga republikanët
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, mbërriti në shtetin e New Jersey, për të parë ai vetë shkatërrimin masiv të shkaktuar nga uragani “Sandy”.
Në vizitën në New Jersey, Obama u takua me guvernatorin republikan Chris Christie, mbi gjendjen dhe rimëkëmbjen e domosdoshme, ndërsa sipas itinerarit zyrtar, presidenti do të takohet edhe me zjarrfikësit, punonjësit e emergjencave civile dhe banorët e prekur nga shkatërrimet masive.
Nga ana e tij, guvernatori Christie, në takimin e New Jersey, përgëzoi presidentin demokrat për mënyrën se si udhëhoqi vendin gjatë krizës natyrore, pavarësisht se prej kohësh ai konsiderohet si një prej kritikëve më të mëdhenj të politikave dhe administratës Obama, transmeton TCH.
Supercikloni i kushtoi jetën të paktën 50 amerikanëve në bregun lindor, ndërsa me milionë banorë vazhdojnë të jenë të privuar nga energjia elektrike.
Të mërkurën, bursa “Wall Street” nisi transaksionet e saj pas dy ditë mbyllje, ndërsa Obama dhe rivali i tij Romney pezulluan fushatën elektorale, për të shkuar në ndihmë të zonave të prekura nga uragani. /Telegrafi/


